Përballë vendosmërisë së qeverive europiane për kthimin mbrapsht të azilkërkuesve nga vendi ynë, duket se shumë prej tyre po gjejnë mënyrë të reja për migrim. Disa familje shqiptare kanë gjetur një teknikë të veçantë për të siguruar migrimin e ligjshëm të fëmijëve të tyre. Fëmijët minorenë dërgohen direkt pranë institucioneve për minorenë në vendin e migrimit, pa asnjë të dhënë se nga vinë dhe se kush janë prindërit e tyre. Në këto kushte dhe në respekt të konventave ndërkombëtare, autoritetet pritëse nuk mund t’i dërgojnë mbrapsht fëmijët, por janë të detyruar t’u sigurojnë atyre qëndrim dhe kushte për integrim në shoqëri.
Javën e shkuar, zëvendës presidentja e prefekturës së Emilia Romanjës, Elisabetta Gualmini, ka dhënë alarmin për këtë dukuri që po rritet në mënyrë gati të padukshme. Të dhënat që ajo bëri publike dëshmojnë rritje alarmante që nga periudha e verës e deri më sot të numrit të minorenëve shqiptarë që futen në Itali dhe prezantohen nëpër institutet për minorenë.
Nga gati 9 700 minorenë të ardhur nga e gjithë bota të regjistruar në Itali në periudhën janar-tetor 2015, 1 159 ose më shumë se 16 për qind e tyre janë shqiptarë. Shqiptarët janë të dytët, pas egjyptianëve, duke lënë pas për nga numri shumë refugjatë që vijnë nga vendet në luftë.
Sipas Gualminit, qeveria italiane duhet t’i kërkojë urgjentisht autoriteteve shqiptare për të identifikuar familjet dhe të afërmit, deri në gradën e katërt (kështu thotë ligji italian) të këtyre minorenëve, për të proçeduar më pas me riatdhesimin ose t’ja besojë të afërmëve rezidentë në Itali.