Mijëra protestues janë mbledhur sot në Bulevardin Dëshmorët e Kombit për të protestuar kundër qeverisë Rama. Protestuesit e ardhur nga i gjithë vendi ecën paqësisht, derisa u mblodhën në sheshin përpara Kryeministrisë. Paralelisht Kryeministri Rama mbajti antimitingun në Vlorë, ‘Bashkia që duam’.
Ndërkohë që protestuesit ishin mbledhur përpara Kryeministrisë, Policia hapi kordonin dhe protestuesit mësynë tek shkallët e godinës. Ata u përpoqën të futeshin në Kryeministri. Në këtë moment, Policia menjëherë gjuajti ndaj protestuesve me gaz lotsjellës dhe me plumba gome. Si pasojë e veprimeve të policisë, 6 protestues u plagosën.
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha e quajti hapjen e kordonit të policisë, provokim për dhunën e protestuesve. Ai u shpreh se:
“Ministri i Brendshëm e di fare mirë që kordoni i policisë ka hapur radhët për të krijuar një skenë të tillë. Siç e shikoni, rrinë duarkryq sepse kanë një skenar për të nxitur dhe për të stimuluar dhunë.
Ndërkohë, me presionin më të vogël të turmës, që natyrisht që janë të irrituar, sepse janë banorë të Unazës së Re, kanë shkuar për t’u prishur shtëpitë, për t’u vjedhur 18 milionë euro, papritur shohim që hapet kordoni policer.”
Gjithashtu, Zoti Basha i bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shesh për të vazhduar protestën.
“Protesta është thirrur me një qëllim. Qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme. Kjo është protesta më e madhe në 30 vite. Asnjë protestues nuk erdhi për të bërë akte dhune. Ata u nxitën dhe u provokuan nga policia. U kërkoj qytetarëve të qëndrojnë të bashkuar për të drejtat e tyre. Sa do vijojë protesta, atë e dinë qytetarët,”- tha Basha.
Ndërsa Kryeministri Rama shkroi në Twitter.
“Bashkëqeverisja me njerëzit në Vlorë dhe Politika e dalë boje në Tiranë”.
Ndërkohë që protesta e opozitës vazhdon, Ambasada e SHBA-ve përmes një deklarate për shtyp dënoi dhunën dhe bëri thirrje për rivendosjen e qetësisë.
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara dënon me forcë dhunën dhe shkatërrimin që ndodhën gjatë protestave të sotme në Tiranë. Mbështesim të drejtën e qytetarëve për të protestuar paqësisht, por dëmtimi i pronës publike dhe dhuna nuk janë të pranueshme. Nxisim të gjitha palët që të tregojnë vetëpërmbajtje më të mirë dhe të rivendosin qetësinë. Iu bëjmë thirrje të gjitha partive politike që t’i denoncojnë këto akte dhe të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshme për t’u siguruar që situata të shndërrohet në paqësore dhe konstruktive”.
Njësoj ka reaguar edhe Delegacioni i BE-së në Tiranë:
“Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Ambasadat e Shteteve Anëtare në Tiranë, u bëjnë thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje të menjëhershme. E drejta e qytetarëve për t’u shprehur përmes protestës paqësore është një vlerë thelbësore e një demokracie moderne evropiane”.