Afganistani po kthehet në një shtet të dështuar, ku grupet terroriste, përfshirë al-Kaedën, mund të kthehen dhe të paraqesin rreziqe sigurie ndaj vendeve perëndimore, tha të premten ministri britanik i mbrojtjes, sipas Politico.eu.
“Unë jam absolutisht i shqetësuar”, tha ministri i mbrojtjes Ben Wallace për Sky News. “Shtetet e dështuara janë baza e mbarështimit për ata lloj njerëzish … (dhe) Al-Kaeda ndoshta do të kthehet”, shtoi ai.
Ben Wallace qortoi heqjen e trupave amerikane nga Afganistani, duke e etiketuar një marrëveshje paqeje të nënshkruar nga SHBA dhe talebanët në vitin 2020 nën presidentin Trump si një “gabim” dhe “të kalbur”.
Ndërsa shpejtësia e ofensivës talebane vazhdon të trondisë qeverinë afgane dhe aleatët e saj perëndimorë, Wallace paralajmëroi se talebanët janë një grup me “të gjitha llojet e interesave”.
“Shtetet e dështuara në të gjithë botën çojnë në paqëndrueshmëri dhe çojnë në një kërcënim të sigurisë për ne dhe interesat tona,” shtoi ai, duke vënë në dukje se Britania e Madhe do të kishte të drejtën të mbrojë veten nëse komplotet terroriste kundër saj zbulohen në Afganistan.
Talibanët kishin kontrollin e vendit midis 1996 dhe 2001. Ata u larguan nga pushteti pas sulmeve amerikane kundër kreut të al-Kaedës Osama bin Laden pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në SHBA.
Qytetet e dytë dhe të tretë më të mëdhenj të Afganistanit, Kandahar dhe Herat, ranë nën kontrollin e talebanëve të enjten.