Ministri Bushati përbuz qytetarët që emigrojnë

Ministri Bushati përbuz qytetarët që emigrojnë

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati i ka quajtur “nomadë ekonomikë” shqiptarët që kanë emigruar apo përpiqen të emigrojnë në vende të tjera.

Duke folur në emisionin Tonight të Ilva Tares në Ora News ai është shprehur se:

“Është ndër të paktët raste që unë mund të rezonoj një nga të pakta pikëpamje që e ka thënë Aleksandër Vuçiç. Këta nuk janë refugjatë, ky quhet nomadizëm ekonomik, këta janë nomadë që për shkaqe të ndryshme kryesisht të karakterit ekonomik tentojnë të përiftojnë benefitet që ka sistemi i azilit në Gjermani.”

Qetësia dhe lehtësia me të cilën Ministri Bushati i etiketon nomadë ata që braktisin vendin e tyre për shkak të varfërisë, mungesës së mundësive apo shpresës për të ardhmen është e papërgjegjshme dhe përbuzëse.

Është skandaloze të quash nomad – pra, njeri që për nga natyra apo stili i jetës nuk hedh rrënjë, nuk ngulet, nuk ka vendbanim të përhershëm, nuk ka atdhe – ata që mes dhimbjes e dëshpërimit vendosin të lënë prapa gjithçka në kërkim të një jete normale. Vendimi për të braktisur vendin nuk ka si të mos jetë i vështirë, i dhimbshëm e madje i panatyrshëm për shumicën, në mos të gjithë, ata që ikën. Një pjesë e tyre e dinë që atje ku shkojnë do të kenë një jetë të vështirë, ndoshta nuk do të integrohen dot, ndoshta nuk do të fitojnë asnjëherë të drejtat ligjore, por prapë ikin për hir të së ardhmes së fëmijëve të tyre.

Ti quash këta njerëz nomadë është mungesë respekti për dinjitetin e tyre. Është mungesë ndjeshmërie për gjendjen e tyre.

Por deklarata dëshmon, gjithashtu, edhe pavetëdijen apo indiferencën e Ministrit Bushati për përgjegjshmërinë e qeverisjes ku ai bën pjesë. Shumë nga ata që po braktisin vendin e tyre, më shumë sesa nga gjendja e tanishme, po largohen nga mungesa e çdo lloj shprese se kjo gjendje do të përmirësohet ndonjëherë. Pra, nga zhgënjimi se kjo qeveri do t’i përmirësojë gjërat apo do të mirëqeverisë.

Nuk ja vlen të komentosh se sa banale është që këtë argument përbuzës me nomadë, Ministri e ka huazuar nga një kryeministër i një vendi tjetër.

 

 

 

 

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>