Ministria e Jashtme ka vendosur tu heqë targat diplomatike konsujve të nderit në Shqipëri. Ministri Gent Cakaj, në një dalje publike, u kërkoi konsujve të dorëzojnë targat diplomatike të automjeteve të tyre brenda datës 15 prill 2019:
“Bëhet fjalë për qytetarë shqiptarë, për të cilët ne jemi të nderuar t’i kemi si konsuj nderi këtu, biznesmenë të njohur, afaristë të ndryshëm, pronarë mediesh apo analistë politikë, që janë ngarkuar në Shqipëri si konsuj nderi nga vende të ndryshme të çdo kontinenti dhe qarkullojnë me privilegje të caktuara diplomatike në Shqipëri dhe jo vetëm, njësoj si ambasadorët dhe trupi diplomatik i akredituar në Shqipëri.
Në shkelje të habitshme të ligjit janë plot 38 konsuj nderi, të pajisur me targa CD, të cilët hyjnë e dalin në vend si përfaqësues më të lart diplomatikë. Ky privilegj është i pajustifikueshëm dhe duhet të marrë fund. Informoj të gjithë personat në fjalë do të fillojmë menjëherë me kontaktimin e tyre, dhe do të dorëzojnë targat diplomatike.”
Zoti Cakaj njoftoi se së shpejti Ministria e Jashtme “do të marrë masa për fuqizimin e dinjitetit të pasaportës diplomatike shqiptare”.
Në Shqipëri aktualisht janë 48 konsuj nderi që përfaqësojnë 45 vende. Disa prej tyre janë emra të njohur në sipërmarrje e media:
Arben Malaj, ish-ministër i Financave dhe Gjergj Leqejza, sipërmarrës në fushën e fasonërisë, konsuj nderi në Austri;
Gentian Sula, pronar i kompanisë së ndërtimit Agi Kons, konsull nderi në Malajzi;
Samir Mane, pronar i Balfin Group dhe Mane TCI, konsull nderi në Tajlandë;
Avni Ponari, administrator i kompanisë SIGAL, konsull nderi në Japoni;
Mentor Nazarko, gazetar dhe Mimoza Ndroqi, bashkëshortja e Ylli Ndroqit, pronar i Televizionit OraNews, konsuj nderi në Kosovë;
Krenar Loloçi, avokat, konsull nderi në Kanada;
Bardhyl Minxhozi, ish-drejtori ekzekutiv i shoqërisë së sigurimeve “Interalbanian”, konsull nderi në Finlandë;
Nikolin Jaka, kreu i Dhomës së Tregtisë, konsull nderi në Tunizi;
Isuf Berberi, pronar i kompanisë farmaceutike FUFARMA, konsull nderi në Islandë;
Agron Papuli, pronar i kompanisë së ndërtimit Classic Konstruksion, konsull nderi në Korenë e Jugut;
Rodolf Xhillari, pronar i kompanisë së trasportit Balkan Trans, konsull nderi në Izrael;
Sokol Kraja, pronar i kompanisë Kraco, konsull nderi në Letoni;
Vladimir Avrami, pronar i kompanisë së ndërtimit Tirhino, konsull nderi në Qipro;
Esat Ademi, pronar i kompanisë Pegaso, konsull nderi në San Marino;
Marinela Jazoj, kryetare e Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA), konsulle nderi në Norvegji;
Përparim Kalo, avokat, konsull nderi në Danimarkë.