Ministri teknik i Drejtësisë Gazmend Bardhi nuk ka miratuar dorëheqjet që i kanë paraqitur atij drejtuesit e zyrave të hipotekave në vend. 14 drejtues hipotekash kanë paraqitur dorëheqjen pas kërkesës publike që u bëri atyre kolektivisht Kryeministri Rama një javë më parë.
Por Minsitri Bardhi ka urdhëruar pezullimin e tyre nga detyra dhe fillimin e hetimit administrativ të zyrave të hipotekave nën mbiqyerjen e inspektorëve të Ministrisë së Drejtësisë. Në një njoftim të sotëm të kësaj ministrie thuhet:
Ministri i Drejtësisë shpreh vendosmërinë e tij se të gjithë Regjistruesit e ZVRPP-ve që kanë kryer shkelje gjatë ushtrimit të detyrës, si dhe kanë cënuar të drejtat e ligjshme të qytetarëve shqiptarë, do të largohen nga detyra me masë disiplinore “shkarkim nga detyra”, me qëllim shmangien e ushtrimit të funksioneve publike në të ardhmen.
Në fund të korrik, Kryeministri Rama u kërkoi të gjithë drejtorëve vendorë të hipotekave të japin dorëheqjen sepse, sipas tij, ata kanë shkelur afatet dhe kanë shpërfillur qytetarët. Ne një takimi me drejtuesit e hipotekave në vend, Zoti Rama deklaroi:
“Domethënë t’i jesh përgjigjur në afat ligjor 3 për qind të kërkesave unë nuk e di se çfarë duhet më. Kush e ka të drejtën t’i shkelë qytetarëve të drejtën e tyre për afatet ligjore? Janë detyruese. Tallje kolektive ndaj njerëzve. Ta marrin këtë vendim me dinjitet. Nuk jeni për këtë punë, ikni që tani. Të gjithëve komplet ju ftoj të jepni dorëheqjen brenda 24 orësh,”
Kryeministri ka të drejtë të emërojë dhe shkarkojë Kryeregjistruesin e Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive, ndërsa regjistruesit e zyrave vendore emërohen dhe shkarkohen nga Minsitri i Drejtësisë me propozim të Kryeregjistruesit.
Pak ditë më parë, kryeregjistruesja Blerina Doracaj njoftoi se është hapur konkursi për regjistrues në zyrat vendore të regjistrimit të pasurisë, në të cilin duhet të konkurojnë edhe regjistruesit aktualë nëse duan të ruajnë detyrën aktuale.
Në një pohim për mediat ajo u shpreh se “mbi bazën e [një] analize fillestare të situatës kam kërkuar që të gjithë drejtuesit e zyrave vendore të futen në një garë për të merituar nderin për t’i shërbyer qytetarëve”.
Në fakt për të marrë në provë regjistruesit vendorë nuk është e nevojshme që ata të dorëhiqen, sepse rregullorja e funksionimit të ZRPP-së i jep Bordit Drejtues të Hipotekave kompetencën e miratimit të kritereve për testimin e aftësisë profesionale të regjistruesve dhe personelit të zyrave të regjistrimit si dhe procedurat e certifikimit të tyre.