
Minisitri i Jashtëm maqedonas, në konferencën e përbashkët me homologen kosovare në Prishtinë, refuzoi prerë planet për ripërcaktimin e kufijëve në rajon.
Njëkohësisht, ai shtoi se nuk duhet rënë në kurthin e paragjykimit të Sllovenisë, për shkak të autorësisë së përfolur të planeve joformale.
“Sllovenia është presidentja e radhës e Këshillit të Bashkimit Evropian një mike e rajonit dhe mbështetëse e integrimit dhe perspektivës Evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe prandaj nuk mendoj që është korrekte ta lidhim këtë dokument me Slloveninë,” u shpreh Osmani.
Ministri maqedonas deklaroi se ka disa modele të suksesshme të trajtimit të çështjeve etnike, të cilat mund të përdoren.
“Unë mendoj që marrëveshja e Ohrit, Pavarësia e Kosovës, perspektiva euroatlantike e rajonit janë treguar si modele të suksesshme në rajon dhe mendojme që alternativë e vetme për paqe të qëndrueshme është zgjerimi i NATO-s dhe integrimi i tërë rajonit në Bashkimin Evropian,” përfundoi Osmani.
Palët biseduan edhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve dhe mundësinë e krijimit të pikave të përbashkëta të kontrollit kufitar sipas konceptit ‘One Stop Shop’.