Ministri i Turizmit Blendi Klosi sqaroi sot disa nga rregullat nën të cilat mund të zhvillohet sezoni turistik këtë vit.
Në një intervistë për ABC Neës, ministri tha se ruajta e distancave fizike mes pushuesve është më e rëndësishmja:
“Ka një dakordësi për të rritur distancat e shezlloneve në zonat e plazheve. Në 10 metër katrorë do të ketë vetëm 4 veta.”
Po ashtu, festat dhe grumbullimet e shumë pushuesve në një hapësirë të vogël do të jetë e ndaluar.
Lidhur me ardhjen e turistëve të huaj, Klosi tha se ministria po punon me disa shtete dhe operatorë që kanë kontrata të gatshme për Shqipërinë, që të mos anulohen prenotimet. Turistët mund të vijnë me avionë charter dhe të akomodohen në hotele duke respektuar të gjithë masat e distancimit fizik.
Për turistët nga rajoni, Klosi tha se ata do të mund të vijnë në Shqipëri përmes kufijve tokësorë dhe të tërhiqen nga vendi ynë për shkak të çmimeve të ulta dhe raportit të mirë çmim-cilësi.
Megjithë masat e njoftuara nga minsitri, qeveria duket se ende nuk ka një plan konkret për të ndihmuar turizmin, sektori më i prekur i ekonomisë nga masat ndaluese të koronavirusit, sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Në një intervistë për News24, më 20 prill, kryeministri Rama u shpreh:
“Nuk kam asnjë përgjigje për sektorin e turizmit, sepse është një situatë që askush nuk e di se çfarë vjen mbrapa. Si do të bëhet nuk e dimë, por në maj do të qartësohemi.”