Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka folur dje në emisionin Top Story për akuzat në lidhje me të ashtuquajturin skandal të përgjimeve. Ai është përpjekur ta zbehë dhe thjeshtësojë çështjen, por në fakt me ato që ka thënë dhe me ato që ka kundërshtuar apo nuk ka thënë, ai ka konfirmuar paligjshmërinë e përdorimit të pajisjes gjurmuese dhe përgjuese.
Çfarë tha Ministri Tahiri:
- Policia ka pasur një paisje e cila ndërhyn në rrjetin e telefonisë celulare.
- Pajisja indetifikon numrat në një zonë të caktuar.
- Pajisja nuk ka aftësi përgjuese.
- Pajisja është sjellë nga misioni në Tiranë i policisë italiane Interforze me qëllim trajnimin e policëve shqiptarë.
- Asnjë qytetar shqiptar nuk është përgjuar.
- Ai nuk ka nevojë të përgjojë as Presidentin Nishani as zotërinjtë Berisha dhe Basha se dihet se çfarë ata bëjnë dhe se ata i thonë të gjitha gjërat publikisht.
Çfarë refuzoi të përgjigjet apo la në heshtje Ministri Tahiri:
- Kur ka ardhur dhe për sa kohë është përdorur pajisja;
- Cilat janë procedurat zyrtare që janë ndjekur për futjen në vend të një pajisje të tillë, përfshi procedurat doganore dhe policore;
- Pse duhet që policia shqiptare të trajnohet për një pajisje që nuk e ka dhe nuk ka në plan ta ketë në të ardhmen e afërt;
- Mbi çfarë baze ligjore është përdorur kjo pajisje, qoftë edhe për trajnim, pasi përdorimi i pajisjeve të tilla kudo në botë kërkojnë rregulla të veçanta për të shmangur abuzimet dhe respektuar të drejtat e qytetarëve;
- A janë shkelur të drejtat kushtetuese dhe privatësia e qytetarëve gjatë përdorimit të pajisjes nga policia shqiptare qoftë edhe për qëllime trajnimi;
Exit sqaron:
1. Pretendimi i Zotit Tahiri se pajisja identifikon vetëm numrat në një zonë të caktuar është i pasaktë.
Fakti është se të gjitha pajisjet që janë në gjendje të ndërhyjnë në rrjetin celular dhe krijojnë kontakt me aparatet celularë që janë në një zonë të caktuar, janë pa asnjë përjashtim në gjendje të marrin këto të dhëna:
Numrin telefonik celular që përdor aparati;
Të gjitha të dhënat identifikuese të aparatit, përshi numrin IMEI;
Identifikimin e të gjithë numrave të thirrjeve hyrëse dhe dalëse, pra të gjithë numrat që marrin apo merren nga aparati;
Gjurmimin e lëvizjeve të aparatit.
Një sërë pajisjesh të tilla, kanë gjithashtu aftësinë të regjistrojnë përmbajtjen e komunikimeve, qoftë zë, qoftë tekst. Edhe ato që nuk e kanë këtë aftësi paraprakisht me anë të shtimit të programeve software mund të fitojnë një aftësi të tillë.
2. Çdo lloj përdorimi i një aparati të identifikimit të pajisjeve celulare pa autorizimin e Prokurorisë, qoftë edhe për qëllime trajnimi, është shkelje e ligjit dhe e privatësisë dhe të drejtave kushtetuese të qytetarëve. Të gjithë individëve aparatet e të cilëve janë identifikuar gjatë seancave trajnuese të policisë u janë shkelur të drejtat e tyre.
3. Çdo lloj përdorimi i një aparati të tillë, qoftë edhe për qëllime trajnimi, kërkon një kuadër të caktuar ligjor dhe rregullator për të shmangur abuzimet dhe për të garantuar të drejtat e qytetarëve. Të paktën kuadri rregullator në Shqipëri mungon, në mos edhe ai i nevojshëm ligjor.