Ministri i Brendshëm Tahiri bëri para pak ditësh një propozim të pazakontë: makinat e luksit, për të njëjtat shkelje të Kodit Rrugor, duhet të paguajnë gjoba më të larta në krahasim me makinat më pak të kushtueshme.
Arsyetimi ligjor i dhënë për një masë të tillë është: pronari i një makine luksi supozohet që ka të ardhura më të larta se ai i një makine jo luksoze dhe, për rrjedhojë, ka më shumë mundësi për të bërë rregullimet e nevojshme—për shembull të ndryshoj dritat e djegura të makinës—në krahasim me pronarin e një makine që kushton më pak.
Por ndoshta motivimi i vërtetë ka qenë për t’u bërë i pëlqyeshëm në sytë e publikut. Duke parë arrogancën e shumë shoferave me makina luksoze apo të mëdha, shumë qytetarë perceptojnë nevojën e sanksioneve më të forta për këta “të pasur”, me qëllim për të dekurajuar sjellje dhe skena që, fatkeqësisht, i shohim çdo ditë.
Një justifikim tjetër mund të ketë qenë zgjerimi i një politike të mirëfilltë sociale të filluar me taksat progresive.
Në realitet, parimi juridik i veprimit në “kushtet e nevojës” është i përfshirë, si rrethanë lehtësuese, në kodet penale të shumë vendeve, por e kundërta—le ta quajmë veprimi në “kushtet e bollëkut”—nuk gjendet askund dhe duket të jetë kontribut novator i Ministrit jurist Tahiri në jurisprudencën botërore.
Por ajo që është më e rëndësishme, është që duket se tashmë debati mbi “progresivitetin” e sistemit të taksave, po kthehet në debat mbi “progresivitetin” e gjobave. Kjo gjë nënkupton që qeveria mendon që taksat dhe gjobat kanë të njëjtën logjikë ligjore dhe të njëjtin funksion social. Në fakt ky njehsim është tërësisht i gabuar, por përtej kësaj, ajo që duket problemi më i madh i qeverisë është mënyra se si ajo i zbaton në praktikë parimet mbi të cilat kërkon të ngrejë politikat publike.
Vetëm disa ditë më parë, duke dashur të kënaqi FMN që sugjeronte taksa më të larta për makinat e luksit, qeveria dhe parlamenti prezantuan një ligj që rrit taksat mbi makinat, vetëm në funksion të fuqisë cilindrike të motorit, pa marrë parasysh vjetërsinë e mjetit apo çmimin e blerjes.
Në rastin e fundit, është e paqartë se si e ka menduar ta zgjidhë Ministri Tahiri problemin e përcaktimit të vlerës së një makine, problem që nuk arriti ta zgjidhë Ministria e Financave? Ndoshta duke ja lënë në dorë gjykimit të policëve, që kështu do të kenë më shumë mundësi të vjedhin “të pafatët” dhe të bindurit?
Për momentin, është e qartë se i vetmi “progresivitet” që po prek qytetari shqiptar është progresiviteti i arbitraritetit me të cilin qeveria aktuale, e zhytur në klientelizëm, po kërkon të na bëjë të besojmë se po “ndërton” shtet.