“Këshilli i pasurisë dhe i padrejtësisë” e quajti sot ministri Tahiri Këshillin e Lartë të Drejtësisë.
Në një tjetër sulm të ashpër kundër sistemit drejtësisë, ai akuzoi anëtarët e KLD-së se janë bërë miliarderë në mënyrë të padrejtë dhe tani, po shkelin ligjin duke kallëzuar penalisht Zotin Tahiri.
“5 miliardë e 760 milionë lekë është pasuria e nëntë anëtarëvë të KLD-së që kanë kryer një akt të paprecedentë duke më kallëzuar penalisht pse kam denoncuar publikisht një gjyqtar që ka konsumuar paligjshmëri në vlerësimin tim,” u shpreh ai.
Zoti Tahiri u betua se KLD-ja se institucioni, që ai e quajti “Këshilli i lartë i pasurisë dhe padrejtësisë i Bujar Nishanit dhe Gjin Gjonit’ nuk do t’ja mbyllin dot gojën “as me një milion padi”.
Pak ditë më parë gjyqatri i Tiranës Arjan Aliaj pezulloi nga detyra drejtorin e policisë Haki Çako në lidhje me atë që tashmë njihet si skandali i përgjimeve—dyshimet se policia ka futur në vend dhe pëdorur një pajisje përgjimi telefonash celularë, duke shkelur ligjet dhe rregullat përkatëse.
Pas vendimit, Ministri Tahiri dhe Kryeministri Rama e sulmuan hapur gjyqtarin si të korruptuar dhe të kriminalizuar duke e kërcënuar atë me reformën në drejtësi.
Për këtë arsye, KLD vendosi ta kallëzojë penalisht ministrin për kanosje dhe fyerje ndaj gjykatësit.
Ministri Tahiri reagoi ndaj kallëzimit duke sulmuar direkt KLD-në, institucionin më të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë. Akuzat e Zotit Tahiri janë të pazakonta dhe me gjasa janë shkelje ligjore.
Sipas Kushtetutës, gjykatësit gëzojnë imunitet për mendimet dhe vendimet e marra. Nga ana tjetër, sulmet e tij mund të interpretohen si ndërhyrje e pushtetit ekzekutiv në atë të drejtësisë.
Ministri Tahiri ka qenë vetë shpeshherë shënjestër e akuzave politike të opozitës për lidhje me kriminelë dhe favorizim të trafikut të drogës.