Disa media kanë raportuar sot se, në një takim informal me gazetarët, Ministri i Financave Shkëlqim Cani ka deklaruar se qeveria ka vendosur që mbledhjen e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) ta japë me konçension tek operatorë privatë.
Për këtë qëllim, qeveria po përgatit proçedurat për hapjen e një tenderi ndërkombëtar për zgjedhjen e kompanisë konçensionare.
Kjo qasje e re e qeverisë, ka kohë që përflitet, por shumë ekspertë e konsideruan politikë të pamundur.
Ky informacion ngre dyshime të reja për motivimin dhe transparencën e kësaj politike nisur nga fakti që deri tani dihet që:
- qeveria ka marrë një propozim të pakërkuar nga një kompani e panjohur nga Hong Kongu, MPOS, për një konçesion të mbledhjes së TVSH-së;
- për shqyrtimin e kësaj kërkese, Ministria e Financave, që në fund të vitit 2014, ka ngritur një grup pune;
- grupi i punës së Ministrisë së Financave, pas shqyrtimit të parë, e ka refuzuar kërkesën me argumentin se mbledhja e TVSH-së është e drejta kushtetuese e qeverisë.
Nuk dihet se deklarata e Ministrit Çani është konfirmim indirekt se Ministria e Financave ka ndryshuar qëndrimin e saj ndaj kërkesës së pakërkuar të kompanisë kineze.