Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE), Belinda Balluku sqaroi arsyet pse qeveria shqiptare do të duhet t’i paguajë 44 milionë euro në fatura të prapambetura kompanisë që ndërtoi autostradën Tiranë-Elbasan.
Në një deklaratë për median, ajo tha se “kontrata për ndërtimin e rrugës Tiranë – Elbasan është lidhur në vitin 2012, […]pa studim gjeologjik dhe me dhjetëra ndryshime sipas kërkesave të kontraktorit […]”.
Si dhe Balluku akuzoi zyrtarët e LSI-së në Autoritetin Rrugor (ARrSh), që e kthyen “përfundimisht këtë kontratë një aferë, në disfavor të pastër për Shtetin Shqiptar”.
Ministrja sqaroi se pretendimet e kompanisë u ngritën në vitin 2015 “dhe administruar gjatë gjithë periudhës kur Ministria e Transportit dhe ARRSH drejtohej nga LSI”.
Balluku tha se si pasojë e hetimit të nisur nga qeveria në 2017, u arrestuan 3 zyrtarë të LSI — Dashamir Xhika, ish-drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Aksel Qurduka, ish-drejtor i Njësisë së Menaxhimit të Projektit të rrugës Tiranë-Elbasan dhe Albens Alite, drejtor aktual i të njëjtës njësi.