Një nga 6 të izoluarit për koronavirus në Spitalin Infektiv është shprehur për Ora News se nuk i ishte komunikuar ende mëngjesin e sotëm përgjigjia e analizave.
Në një lidhje telefonike, 31-vjeçari, i cili u nga Ministria e Shëndetësisë u tha se ishte i infektuar, ka shprehur me shqetësim faktin se asnjë nga mjekët nuk i ka komunkuar rezultatet e analizave.
“Ka dalë Ministria e Shëndetësisë në publikim zyrtar e thotë që unë jam i prekur nga koronavirusi, por mua askush nuk më ka thënë se jam i prekur. Kam mbi 36 orë i izoluar. Ka ardhur dje një doktor më ka marrë analizat dhe nuk ka ardhur askush tjetër, vetëm infermierët. Edhe infermierët janë të cuditur e nuk e dinë si ka mundësi që jam i infektuar.”
Mbrëmjen e së hënës Ministria njoftoi se krahas 3 të afërmve të 2 të infektuarve të parë, ishte pikasur edhe një i infektuar tjetër, një 31-vjeçar, i cili kishte udhëtuar së fundmi nga Milano.
Mirëpo ky i fundit është shprehur me shqetësim se nuk është informuar:
“S’kam asnjë përgjigje. Unë jam top, por më ka kapur paniku. Jam trembur për familjarët e mi nuk po i bëjnë tamponët. Kam takuar shumë miq dhe shokë, kam frikë për ta”
Ai tregon se kishte udhëtuar në të njëjtin avion me gruan nga Lushnja, e cila pak ditë më parë ishte paraqitur në spital dhe menjëherë më pas kishte shkuar vetë me këmbët e tij dhe kishte këmbëngulur për të bërë analizat.