Ministrja e Arsimit apel për studentët: Tregoni kujdes që të rikthemi së shpejti në auditore

Nga Exit News
Ministrja e Arsimit apel për studentët: Tregoni kujdes që të rikthemi së shpejti në auditore

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka uruar të gjithë studentët për nisjen e vitit të ri akademik.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministrja tha se vendimi për të nisur mësimin virtualisht dhe jo në auditore është marrë në konsultim me Komitetin e Ekspertëve:

“Komiteti i Ekspertëve ka propozuar së fundmi, që të paktën muajin e parë, mësimi të zhvillohet në distancë, pra “online”, në mënyrë që të frenohet përhapja e mëtejshme e virusit. Një vendim aspak i lehtë ky, i imponuar nga ecuria dhe dinamika e pandemisë, por që fatmirësisht i ka gjetur universitetet tona të përgatitura që më herët në mënyrë që mësimdhënia të nisë dhe të zhvillohet pa ndërprerje.”

Ajo tha se të gjithë universitetet në vend kanë marrë masat për të bërë të mundur zhvillimin e mësimit online:

“Jam informuar që janë marrë të gjitha masat e nevojshme që të kemi një nisje optimale në këtë fillim-viti akademik. Më vjen mirë që çdo universitet ka tashmë gati metodën e tij specifike të “mësimit të kombinuar”, si “online”, ashtu edhe në auditore kur kjo të jetë e mundur, në respekt të plotë të masave të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.”

Zonja Kushi i bëri apel të gjithë studentëve që të tregohen të kujdesshëm dhe të mos neglizhojnë në zbatimin e masave anti-Covid:

“Kjo është e vetmja mënyrë që ne ta kapërcejmë sa më lehtë këtë periudhë dhe t’i rikthehemi sa më parë normalitetit që të gjithë dëshirojmë.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>