Ministrja e Drejtësisë ka përshëndetur zgjedhjen e anëtarit të pestë të Gjykatës Kushtetuese Altin Binaj.
Zgjedhjen e Binajt ajo e sheh si angazhim të mazhorancës për zbatimin e Reformës në Drejtësi.
“Vendimi sot i Kuvendit të Shqipërisë për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, tregon qartazi se mazhoranca është tërësisht e angazhuar për zbatimin e Reformës në Drejtësi deri në fund, si një angazhim ndaj qytetarëve dhe për të avancuar në integrimin evropian”, tha ajo në llogarinë e saj në Twitter.
Gjonaj përshëndeti edhe KED, duke thënë se ka përfunduar “në kohën më të shkurtër të mundshme proçesin e verifikimit dhe vlerësimit të kandidatëve me qëllim plotësimin e vendeve në Gjykatën Kushtetuese”.
Ministrja e Drejtësisë u shpreh se është përgjegjësi e të gjitha institucioneve për të bërë të mundur funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë.
Exit News ka ngritur dyshime për ligjshmërinë e procedurës dhe votimit në Parlament të një kandidati të vetëm, në kundërshtim me kërkesën ligjore për tre kandidatë.