Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu njoftoi se të hënën do të mbërrijnë 8190 doza të tjera të vaksinave Pfizer.
Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Manastirliu u shpreh se janë vaksinuar 4600 infermierë.
“Ne kemi bërë përpjekje për të siguruar një kontratë me Pfizer për 500 mijë vaksina nga e cila kanë mbërritur 8000 doza deri më sot dhe pritet lëvrimi i 8190 doza të tjera po sot.“
Manastirliu pohoi se janë vaksinuar dhe 400 të moshuar mbi 80 vjeç.
Në Tiranë nisi të dielën vaksinimi i personave mbi 80 vjeç, ku të parët ishin disa personalitete të jetës publike si Alfred Moisiu, Margarita Xhepa, Piro Milkani dhe Sherif Merdani.
Shqipëria ka marrë aktualisht 9165 doza të vaksinës së Pfizer. Deri në fund të shkurtit sipas kryeministrit Rama do të vijnë gjithësej 40 mijë doza. Rama ka deklaruar gjithashtu se Shqipërisë do t’i dhurohen 360 mijë doza të vaksinës AstraZeneca nga një vend anonim.