Klasat me maturantë nuk do të kenë më shumë se 12 nxënës, të vendosur 2 metra larg njëri-tjetrit.
Ministrja e Arsimit Besa Shahini ka sqaruar se si do të nisë mësimi për maturantët duke ruajtur distancimin fizik dhe masat e tjera të higjienës.
Në një intervistë për ABCNews, Zonja Shahini tha se “do jenë maksimumi 12 nxënës në klasë duke rujatur distancën prej 2 metrash dhe do merren masa për higjienizimin e klasave.”
Ata maturantë të cilët kanë nxjekur mësimin online dhe janë në rregull me këtë formë, nuk do të jenë të detyruar të shkojnë në shkollë për të ndjekur konsultimet përpara provimeve të maturës. Ministrja Shahini u shpreh:
“Nëse nxënësit ndihen se mund ta bëjnë provimin pa konsultime, mund të përgatiten vetë në shtëpi. Një maturant që i ka ndjekur edhe mësimet online është i përgatitur pa qenë nevoja të kthehen në shkollë.
Pjesa më e madhe e kërkesave për hapjen e shkollave është sepse kanë nevojë për konsultimin.”
Më herët ministria ka sqaruar se provimet e maturës do të bazohen në temat e kryera në shkollë deri më datën 9 mars 2020, kur shkolla është frekuentuar nga të gjithë nxënësit.
Mësimi në shkolla për maturantët do të nisë më 18 maj dhe do të përfundojë më 5 qershor.
Matura shtetërore do t’i zhvillojë provimet në të njëjtat data të njoftuara më parë: më 8 qershor gjuha e huaj, 11 qershor gjuha shqipe, 15 qershor matematika dhe 18 qershor provimet me zgjedhje.