Misioni i “Agjensisë për Bashkëqeverisje” të Ramës

Nga Vincent Van Gerven Oei
Misioni i “Agjensisë për Bashkëqeverisje” të Ramës

Fuqizimi i pushtetit të Kryeministrit Edi Rama duket se është i pandalshëm. Pas lajmërimit të partisë-shtet në fund të shtatorit, ku ai shpalli shkrirjen e qeverisë, partisë dhe Kuvendit, Kryeministri hodhi një hap tjetër duke ligjëruar “platformën e tij të bashkëqeverisjes me qytetarët e zakonshëm”.

Platforma e bashkëqeveris nisi si një gjetje pas zgjedhore e Kryeministrit për të gjetur një “partner” tjetër për të qeverisur dhe (për ta fajësuar) pasi fitorja e shumicës absolute në zgjedhje e bëri të panevojshëm çdo lloj koalicionit qeverisës me forca të tjera.

Platforma mori jetë përmes një sërë dëgjesash me qytetarët, pa asnjë bazë ligjore, dhe akuzave kundër burokracisë shqiptare, e cila “abuzon në mënyrë sistematike me qytetarët e thjeshtë”. Kjo u shoqërua me turpërimin publik të disa prej funksionarëve të shtetit duke botuar lista të tyre në faqen e tij në Facebook dhe duke u kërkuar në mënyrë arbitrare të tjerëve të dorëhiqen.

Për më shumë, Kryeministri nisi një fushatë punësimesh në administratën publike, pa asnjë procedurë apo bazë ligjore, për të mbushur vendet e lira në institucionet e reja “për bashëkqeverisje me qytetarët”.

Gjithashtu, një platformë elektronike e quajtur “Me ty, Për Shqipërinë që duam” u krijua për të pritur ankesat dhe sugjerimet nga “njerëzit e zakonshëm”, të cilët mund t’i shkruanin direkt Kryeministrit, i cili më pas “do të merrej” me çështjen.

Sërish, financimet për këtë faqe elektronike mbetën një mister, ashtu sikurse zyrtari pëgjegjës për të: në të nuk shfaqej asnjë logo e qeverisë apo ndonjë informacion, përveç faktit se ajo u shpërnda gjërësisht përmes faqes në Facebook të Kryeministrit.

Dje, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për “krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjensisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje”. Vini re se si fjala dialog rezonon me atë në Qendrën për Hapje dhe Dialog, një eufemizëm për vanitetet e Ramës, galeri private brenda zyrës së tij publike.

Agjensia për Dialog dhe Bashkëqeverisje (ADB) do të jetë një institucion shtetëror nën varësinë direkte të Kryeministrit, dhe misioni i saj duket se është një potpuri e fjalëve kyçe të pëlqyera nga donatorët:

Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje ka si mision ofrimin direkt të shërbimeve publike, për të garantuar bashkëqeverisje e gjithëpërfshirje në politikbërje dhe vendimmarrje, nëpërmjet ndërveprimit në platformën elektronike “Me ty, për Shqipërinë që duam” të qytetarëve, organizatave jofitimprurëse e sipërmarrjes private me administratën shtetërore dhe institucionet qeverisëse, si dhe mbështetjen e projekteve e të programeve për një shoqëri të hapur dhe për institucione më pranë qytetarëve, shoqërisë civile, rinisë dhe aktorëve të tjerë, në fusha të ndryshme si inovacioni, krijimtaria, transparenca, arsimi, rinia, shkenca, arti, kultura, grupet vulnerabël.

Lista e “fushave të ndryshme” në fund të së tërës tregon se sa e papërqendruar dhe e sajuar është e gjithë kjo “agjensi”. Ajo përzjen deklaratën e misionit të projektit propagandistik të dështuar transparenca.al me projektin e dështuar të galerisë së COD-it; ajo flet për një “shoqëri të hapur” sorosiane dhe “shoqëri civile”, ndërsa vetë Kryeministri e ka deklaruara shoqërinë civile “të vdekur” dhe gjerësisht të parëndësishme në vendimmarrjen e qeverisë së tij.

Funksioni zyrtar i ABD-së ngjall pyetje të pakëndëshme, por tashmë të zakonshme, për ndarjen e pushteteve në sistemin politik shqiptar. Për shembull, ABD “trajton dhe organizon kërkesat për interpelancë për kryeministrin, zëvendës kryeministrin, ministra të veçantë apo grupe të tyre.” Interpelanca është e drejtë e Kuvendit, i cili, në fund të fundit, u zgjodh për të përfaqësuar qytetarët për katër vitet e ardhshme.

Përmes këtij funksioni, ABD kryesisht ofron një “korsi shpejtësi” drejt qeverisë, duke anashkaluar rolin e parlamentit dhe deputetëve të zgjedhur, dhe duke dobësuar, kështu, thelbësisht Kuvendin si një vend ku mendohet se përfaqësohen ankesat, çështjet, dhe idetë e “njerëzve të zakonshëm”. Për më shumë, ajo dobëson përgjegjësinë e çdo njërit prej deputetëve ndaj elektoratit e tij.

Për më shumë, ABD “trajton dhe koordinon [..] denoncimet për shpërdorim detyre dhe korrupsion, nga qytetarët dhe kompanitë.” Sërish, kjo është të marrësh detyrat e prokurorisë, policisë dhe sistemit gjyqësor në përgjithësi. E gjithë çështja e ekzistencës së degëve të ndara të qeverisë të dedikuara për drejtësinë është konstatimi se burokracia nuk është gjyqtari i vetes. Sërish ABD minon këtë dallim kyç —dhe si rrjedhojë minon zbatimin e ligjit.

Sidoqoftë, çelësi për rolin e vërtet të ADB-së në orbitën e Ramës, njësoj si në rastin e COD, është në “Bordin e Këshillimit”, për të cilin deri më tani afrohet vetëm një etiketim cilësor i anëtarëve të pritshëm, përfshirë “anëtarë të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri”, “ekspertë, akademikë, dhe profesorë të universiteteve prestigjoze shqiptare dhe të huaja,” dhe ” përfaqësues të institucioneve të ngjashme publike ose private të vendeve të tjera.”

Është pyetje madhështore pse diplomatët e huaj mund të duan të kompromentojnë pozicionin e tyre duke marrë pjesë në bordin e një institucioni që është qepur posaçërisht për t’iu përshtatur egomanisë të një personi të vetëm; apo se ku i gjeti Kryeministri këto universitete “prestigjoze shqiptare”; apo në cilat vende të tjera ka një agjensi të dedikuar vetëm për të marrë detyrat e parlamentit për t’i zhvendosur ato nën menaxhimin privat të kryeministrit — ndoshta Turqia?

Kushdo që do të marrë pjesë në këtë Bord Këshillimi — ndoshta ndonjë nga ambasadorët e shumtë pak të informuar në këtë vend, që mund të jetë verbëruar nga vetëmashtrimi për të bërë një gjë të tillë — do të përfundojë në një servil të deklaruar publikisht të një autokrati delirant dhe një makinë, njësoj si anëtarët e “nderuar” të bordit të COD, për plotësimin e një etjes personale për pushtet, e cila nuk njeh kufi.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>