Tashmë mund të thuhet me siguri të arsyeshme se, më në fund, do të arrihet një konsensus për reformën në drejtësi.
Misioni i Ndihmës Sekretares së Shtetit Victoria Nuland ishte jo vetëm i suksesshëm, por, mbi të gjitha i suksesshëm me një qasje që pak kush e priste: nuk la asnjë krejtësisht të pakënaqur.
Zonja Nuland u tregua e matur, duke mos zgjedhur një qasje të ashpër apo të njëanshme, por ofroi një zgjidhje të arsyeshme dhe plotësisht të mundshme për t’u pranuar nga të gjitha palët. Kështu, ajo jo vetëm pothuajse arriti konsensusin, por i mbajti të hapura dhe të shëndetshme marrëdhëniet amerikane me të gjitha palët.
Më poshtë po diskutojmë pesë gjëra që kuptuam nga misioni i Zonjës Nuland në Tiranë.
1. Të gjithë shpëtuan fytyrën, të gjithë morën përgjegjësi
Propozimi i ri amerikan u jep mundësi të gjitha palëve të bien dakord pa humbur fytyrën, pa fitues të qartë, por edhe pa humbës dhe duke shmangur përshtypjen se amerikanët preferojnë njërin e nuk duan tjetrin. Tashmë, është i mundur një kompromis i cili nuk cënon dinjitetin apo imazhin publik të askujt.
Nga ana tjetër, duket se Zonja Nuland arriti t’i bëjë të gjithë të flasin si politikanë seriozë dhe të përgjegjshëm. Ultimatumet, akuzat, sharjet, qëndrimet armiqësore u zëvendësuan menjëherë me deklarata parimore dhe shprehje të përkushtimit e vullnetit për të arritur kompromis.
Tek askush nuk u vu re më shumë ky ndryshim se tek Kryeministri Rama. Prej shumë javësh, ndoshta duke marrë krahë nga deklaratat kritike të përfaqësuesve të huaj ndaj PD-së, Kryeministri Rama mbante qëndrime triumfale, intolerante dhe shpesh qesëndisëse e tallëse ndaj opozitës dhe Zotit Basha. Hera-herës ishte dukur sikur deklaratat e tij, në vend të arritjes së kompromisit apo zgjidhjes, kishin qëllim të acaronin, provokonin apo poshtëronin opozitën.
Më në fund, pas vizitës së Zonjës Nuland, Kryeministri Rama bëri për reformën në drejtësi, ndoshta, deklaratën e parë serioze, të përgjegjshme dhe të denjë për udhëheqësin e një vendi.
2. Lulzim Basha “shpëtoi” më shumë se të tjerët
Nëse Zonja Nuland do të kishte dhënë ultimatum që PD duhet të votonte reformën në drejtësi në variantin që gjendet në Kuvend, ai që do dilte më i humbur nga të gjithë do të ishte Zoti Basha—pavarësisht zgjedhjes që do të bënte pro apo kundër reformës—imazhi dhe rëndësia e tij do goditej si në sytë e ndërkombëtarëve edhe brenda partisë së tij.
Kohët e fundit, ishte krijuar gjerësisht në publik perceptimi apo bindja se Zoti Basha ka treguar qëndrime të lëkundura, të pasigurta dhe të paqarta në lidhje me reformën në drejtësi. Në rrethet politike ka qarkulluar ideja se zoti Basha ka qenë dakord me reformën, por nën trysninë dhe autoritetin e Zotit Berisha ai ka i ndryshuar qëndrimet e tij dhe është tërhequr nga premtime të qarta të bëra ndaj të partnerëve të huaj në këtë proces.
Dy herë, brenda pak javësh, Ambasadori Lu e veçoi me emër Zotin Basha si përgjegjës direkt për ngërçin ku ishte futur reforma. Duke ju drejtuar me emër, Ambasadori ka dashur të bëjë të qartë se Zoti Basha nuk mund të fshihej apo justifikohej më pas emrit të Zotit Berisha, pasi ishte ai që duhet të merrte përgjegjësi për situatën, të paktën në sytë e amerikanëve. Indirekt, Ambasadori Lu i tha Zotit Basha: Je kryetar i opozitës, prandaj fillo e sillu si i tillë.
Me qasjen e saj të matur e të paanshme, Zonja Nuland e “shpëtoi” Zotin Basha nga dëmtimi politik dhe në imazh që dukej se ishte i pashmangshëm.
Tani, mbetet për t’u parë nëse Zoti Basha do të dijë ta përdorë këtë “triumf” të vogël për të përmirësuar imazhin dhe kredibilitetin e tij, si para të përfaqësuesve të huaj edhe brenda partisë së tij.
3. LSI vazhdon të mbetet e izoluar ndërkombëtarisht
Zonja Nuland, sërish, nuk e takoi Kryeparlamentarin Meta, sikurse nuk e kanë takuar edhe disa politikanë të tjerë të rëndësishëm botërorë që kanë vizituar Tiranën në tre vjetët e fundit.
Zonja Nuland takoi edhe Ministrin e Jashtëm Bushati—takim i cili, edhe pse i justifikuar nga pikëpamja protokollare, ishte krejtësisht i parëndësishëm për qëllimin për të cilin ajo ishte në Tiranë. Por ajo zgjodhi të mos takojë Zotin Meta, pavarësisht rolit kyç që ai ka në miratimin e reformës, jo vetëm si Kryetar i Kuvendit, por mbi të gjitha si komandues i rreth 20 votave në Kuvend.
“Harresa” e Zonjës Nuland vështirë të justifikohet me faktin se kompromisi i mundshëm PD-PS për votimin e reformës i bën të parëndësishme votat e LSI-së në Kuvend.
Zoti Meta dhe LSI-ja po investojnë në përmirësimin e imazhit dhe të marrëdhënieve të tyre me jashtë, por suksesi i deritanishëm duket i papërfillshëm.
Për shkak të këtij dështimi, duket sikur Zoti Meta tashmë po mundohet të paktën të krijojë në opinionin e brendshëm përshtypjen se ai është politikan i vlerësuar në botë.
Prandaj ai po paguan lobistë për mundësim takimesh me anëtarë të Kongresit Amerikan, takime që edhe pse nuk kanë vlerë në qëndrimet e qeverisë së SHBA-ve, bëjnë “lajm” pozitiv në Shqipëri. Në të njëjtën frymë mendohet se janë sponsorizuar disa artikuj pozitivë ndaj Zotit Meta në media amerikane të dorës të dytë.
Por kjo propagandë zhvlerësohet menjëherë në rastet e vizitave të rëndësishme të politikanëve të huaj në Tiranë, të cilët injorojnë Zotin Meta—indiferentizëm i cili nuk mund të mos vihet re nga opinioni publik.
4. Amerikanët “sundojnë” edhe pse vendi është kandidat në BE
Përveç ndjenjave të pazakonta proamerikane të shqiptarëve, arsyeja kryesore për ndikimin e madh amerikan tek politika vendase duket se ka të bëjë më shumë me dobësitë e politikës evropiane.
Henri Kissinger, si Sekretar Shteti i SHBA-ve, e shprehu nervozizmin e tij me mungesën e politikës së jashtme evropiane me fjalët, tashmë, të famshme: “Europa? Numrit të kujt duhet t’i bie kur dua të flas me Europën?”
Gjatë gjithë krizës së reformës në drejtësi, politika e jashtme e BE-së nuk mundi të ushtrojë presion apo të negociojë kompromise. Përtej disa deklaratave gati klishe të 3-4 ambsadorëve të vendeve të BE-së në Tiranë dhe këshillave apo komenteve po aq pa nerv të disa politikanëve europianë, BE, veçanërisht Komisioni Europian, nuk tregoi as angazhim serioz dhe as aftësi politike për zgjidhjen e krizës.
Fatkeqësisht, ndikimin e BE-së e zbehu shumë humbja e besueshmërisë dhe kredibilitetit të Ambasadores së saj në Tiranë. Akuzat e PD-së ndaj Ambasadores Romana Vllahutin për favorizim të qeverisë mund të kenë qenë të pabaza ose të ekzagjeruara, por imazhi i Ambasadores u dëmtua nga disa shfaqje apo sjellje të saj në publik, që edhe nëse nuk janë të dyshimta nga standardi etik, sigurisht nuk e kanë ndihmuar imazhin e saj dhe të BE-së.
Kontrasti është i qartë: nëse publiku pa Viktoria Nulandin të udhëtojë brenda pak orësh në Prishtinë dhe Tiranë, të zhvillojë një sërë takimesh të rëndësishme dhe të vështira, pa patur kohë as për t’u ndërruar; imazhi i fundit i Romana Vllahutinit në publik është teksa ajo—e veshur me një fustan elegant rozë, që e mban me dorë për të mos ju ngritur nga era—ecën përmes një fushe futbolli, nën shikimin e syve aspak neutralë të disa politikanëve të lartë socialistë, të cilët janë duke luajtur futboll me ambasadorë evropianë, ndërkohë që Viktoria Nuland dhe Ambasadori Lu kanë qenë me siguri duke punuar në ato momente për të zgjidhur krizën politike shqiptare.
5. Victoria Nuland mund të arrijë majën e diplomacisë amerikane
Si Ndihmës Sekretare e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike Viktoria Nuland renditet e pesta në hierarkinë e Departamentit të Shtetit, pas Sekretarit të Shtetit, dy Zëvendës Sekretarëve dhe Nën Sekretarit për Çështjet Politike. Por me njohuritë e thella mbi politikën e jashtme, mprehtësinë, aftësitë negociuese dhe forcën e karakterit ajo ka dëshmuar shpesh se është një ndër personat më të rëndësishëm dhe më të aftë të diplomacisë amerikane.
Misioni i suksesshëm në Tiranë dëshmoi edhe një herë maturinë, përvojën dhe aftësitë e saj për të negociuar dhe ndërtuar kompromise në vende dhe situata të vështira.
Një ndër personat e preferuar të Hilari Klintonit, kur ajo ishte Sekretare Shteti, Zonja Nuland konsiderohet nga disa analistë amerikanë si kandidate e mundshme për postin e Sekretares së Shtetit ose të Këshilltares për Sigurinë Kombëtare në një presidencë të mundshme Clinton.
Përveç aftësive vetjake, kandidatura e saj ka një avantazh të madh, pasi ajo mund të jetë e pranueshme edhe për republikanët që mund të ruajnë kontrollin e Senatit.
Zonja Nuland, e cila ka shërbyer si në administratat republikane edhe ato demokratike, është pjesë e një familje të shquar neokonservatore. Veç të tjerëve, bashkëshorti i saj, Robert Kagan, është ndër intelektualët dhe opinionbërësit më të rëndësishëm neokoservatorë të SHBA-ve.
Për këtë arsye, konfirmimi i saj nga një senat me shumicë republikane mund të jetë më i lehtë, edhe pse Zoti Kagan ka dalë hapur kundër kandidaturës presidenciale të Donald Trump dhe ka deklaruar se do të votojë për Hilari Clinton, çka nga shumë republikanë mund të konsiderohet si tradhti.
Në vitin 2013, gjatë konfirmimit në Senat si Ndihmës Sekretare e Shtetit, Zonja Nuland mori lëvdata nga figura të rëndësishme republikane, përfshi senatorët McCain dhe Graham.