Diskutimi mbi lejimin e importimit të mbetjeve ka hedhur dritë mbi shenjat e para të modelit të biznesit që klasa drejtuese e vendit ka qëllim të propozojë dhe të vendosë për t’i dhënë përfundimisht një hov të vërtetë ekonomisë shqiptare.
Një nga përfaqësuesit kryesorë të komunitetit të biznesit, një figurë me rëndësi në shoqëri, Presidenti i Dhomës së Tregtisë së Tiranës Nikolin Jaka, gjithmonë i pranishëm në momente domethënëse në delegacione ndërkombëtare, në tavolina diskutimi me qeverinë, dhe mbi të gjitha në tendera të furnizimit të administratës publike, si një figurë e vjetër e të djathtës me përvoja të larmishme në administratën publike (nga administrata e rrugëve në administratën e burgjeve) pasi mbrojti me shpatë disa muaj më parë ligjin për regjistrimin e detyrueshëm të kompanive në Dhomën e Tregtisë, propozoi sot një vizion më të qartë të liberalizmit të tij, duke propozuar liberalizimin “përfundimtar” të ekonomisë shqiptare.
Të liberalizojmë importin e mbetjeve, por edhe kultivimin e marijuanës dhe shtëpitë publike.
Nga ky propozim i thjeshtë del në pah qartësisht modeli ekonomik, por edhe kulturor dhe shoqëror që klasa drejtuese aktuale ka si vizion për të garantuar një të ardhme për vendin, duke u mbështetur në pikat e favorshme për konkurrencë dhe mbi një nga aftësitë e pakta që “biznesi” shqiptar ka treguar që e zotëron më mirë se një pjesë e madhe e botës.
Përballë kësaj inteligjence strategjike, mund të propozojmë integrimin e modelit Jaka me karakteristika të tjera të veçanta të sipërmarrjes tipike shqiptare, përfshi anulimin përfundimtar të ligjeve për kthimin e kredive, ligjeve për mbajtjen dhe deklarimin e bilancit, dhe veçanërisht të ligjit të kotë dhe të bezdisshëm për sigurimin e punonjësve.
Në fund, ky model ekonomik novator mund të japi maksimumin e tij me një formë integrimi vertikal të biznesit, i cili duke u ofruar operatorëve marijuanë me kosto të ulët, lejon kufizimin e vuajtjeve, qoftë të punëtorëve që seleksionojnë mbetjet, qoftë të punonjësve të seksit të cilat shijohen nga “tutorët”.
Së fundmi “humbjet kolaterale” të mundshme të sistemit mund të shkrihen në landfillin e Bashkisë, sigurisht të administruara me një partneritet publik privat.
Një model i tillë i integruar ka të gjitha karakteristikat për të tërhequr flukse të rëndësishme të importit të mbetjeve me kosto të ulët dhe gjithashtu flukse të mëdha të turizmit elitar ndërkombëtar, dhe do të lejojë edhe eliminimin e taksave dhe doganave.
Ndër të tjera, ndjeshmëria evropiane për temën e mjedisit do na lejojë të tërheqim financime të rëndësishme falas për përmirësimin e sistemit.
Me këtë klasë drejtuese parajsa do të rilindë në Shqipëri.