Mogherini Presidentit Ivanov: Mos i hidhni benzinë zjarrit!

Mogherini Presidentit Ivanov: Mos i hidhni benzinë zjarrit!

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë Federica Mogherini vizitoi dje Shkupin, në mes të tensioneve politike. Dy ditë më parë Presidenti Ivanov refuzoi t’i japë të drejtën për të formuar qeverinë liderit të LSDM-së Zoran Zaev, në koalicion me partitë shqiptare.

Federica Mogherini deklaroi se vendimi i Presidentit Ivanov është një “ thyerje serioze e parimeve demokratike”.

“Besoj se është e pamundur për të bindur gjithkënd në demokraci se shumica e anëtarëve të parlamentit, që përfaqësojnë shumicën e qytetarëve në një shtet, nuk lejohen për të formuar qeverinë – dhe se në vend të rregullave demokratike, mbizotëron kaosi.

Kjo thyen shpirtin e demokracisë, është në kundërshtim me parimet themelore të demokracisë, është në kundërshtim edhe me procesin e integrimit euroatlantik që është shpallur si prioritet nga të gjithë liderët e partive, nga vetë Presidenti, dhe që është prioriteti i të gjithë qytetarëve të këtij vendi.”

Gjatë takimit me Presidentit Ivanov, Zonja Mogherini i kërkoi atij të “ndryshojë vendimin e tij në interes të të gjithë qytetarëve të këtij vendi”. Ajo po ashtu i rikujtoi presidentit detyrën e tij kushtetuese për t’i bësuar të drejtën për të formuar qeveri, kandidatit që siguron shumicën në parlament.

Ajo gjithashtu i bëri thirrje të gjithë institucioneve dhe politikanëve të jetë përgjegjës për retorikën e tyre:

“E fundit por jo më pak e rëndësishmja, do t’i thoja udhëheqësve politikë dhe të gjithë ata që kanë përgjegjësi institucionale që duhet të pakësojnë retorikën, për të shmangur që kjo krizë politike dhe institucionale të bëhet një konflikt ndëretnik, apo edhe më keq një konflikt gjeopolitik. Ky është një vend kompleks në një rajon kompleks dhe në kohë vërtetë komplekse. Nuk kemi nevojë që t’i hedhim më shumë benzinë zjarrit, sepse ne e kemi zjarrin e ndezur tashmë.”

Zonja Mogherini mbërrin sot në Tiranë. Ajo do të mbajë një leksion për studentët e Universitetit Politeknik dhe në mbrëmje, do të mbajë një konferencë të përbashkët për shtyp me Kryeministrin Rama.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>