Rreth 50 për qind e shqiptarëve pranojnë se i është kërkuar, në mënyrë të drejtëpërdrejtë ose jo, rryshfet nga zyrtarët publik. Ky është përfundimi i studimit për Monitorimin e Korrupsiont 2016 të Qendrës Shqiptare për Studime Ekonomike (ACER), partner i SELDI, rrjetit më të madh të organizatave kundër korrupsionit në Evropën Juglindore.
Në janar 2016, ACER intervistoi 1 000 qytetarë për t’i pyetur nëse i është kërkuar ndonjëherë rryshfet nga zyrtarët dhe si e perceptojnë ata nivelin e korrupsionit në Shqipëri.
Ndër grupet e perceptuara si më të korruptuarat janë gjyqtarët dhe liderët e partive politike.
Disa nga përfundimet kryesore të raportit janë:
- Një në dy shqiptarë pranon se i është kërkuar drejtëpërdrejt ose tërthorazi, të paktën një herë, rryshfet nga zyrtarë publike.
- Krahasuar me raportin e mëparshëm të bërë në vitin 2014, ka një përkeqësim me pesë pikë përqindje (nga 45 për qind në rreth 50 për qind) të pjesës së shqiptarëve që i është kërkuar rryshfet.
- 76 për qind e qytetarëve mendojnë se “korrupsioni nuk mund të ulet në mënyrë drastike”. Mosbesimi i qytetarëve ndaj nismave të qeverisë apo shoqërisë civile për të luftuar korrupsioni është rritur krahasuar me vitin 2014.
- Niveli i korrupsionit në Shqipëri është rritur me 3 për qind krahasuar me vitin 2014.
- Përqindja e qytetarëve që kanë pranuar t’i japin rryshfet zyrtarëve është rritur me një pikë përqindje krahasuar me vitin 2014.
- Rreth 38 për qind e shqiptarëve deklaruan se i është bërë presion nga zyrtarë të lartë për t’i dhënë rryshfet. Dhënia e rryshfetit nën presion, po ashtu është rritur.
- Qytetarët perceptojnë si më të korruptuarit gjyqtarët, zyrtarët e doganave, udhëheqësit politikë dhe partitë politike.
- Ndër grupet të perceptuara si më pak të korruptuarit janë mësuesit, gazetarët dhe anëtarët e këshillëve bashkiakë.
- Pothuaj gjysma e shqiptarëve deklaruan se e tolerojnë apo e pranojnë rryshfetin. Të pyetur nëse do të ishin në vendin e një zyrtari publik, 66 përqind u përgjigjën se do të pranonin të merrnin rryshfet.
- Rezultatet tregojnë se qytetarët i japin rryshfet zyrtarëve publikë edhe nëse këta të fundit nuk e kërkojnë, pra ata priren të besojnë se zyrtarët publikë e kërkojnë zzyrshfetin edhe nëse nuk e shprehin kërkesën në mënyrë të drejtëpërdrejtë.
Këto të dhëna tregojnë se masat anti-korrupsion të marra nga qeveria, shoqëria civile dhe komuniteti ndërkombëtar nuk kanë dhënë ende rezultate dhe tregojnë nevojën për përforcim të përpjekjeve në këtë drejtim.