Muzeu Arkeologjik Durrës, “thesari i Adriatikut”

Nga Geri Emiri dhe Sami Curri
Muzeu Arkeologjik Durrës, “thesari i Adriatikut”

Përgjatë 3000 viteve Durrësi ka qenë pika lidhëse e tregtisë që zhvillohej në pellgun e Mesdheut dhe Adriatikun Lindor, duke u quajtur nga autorët antik edhe si “Taverna e Adriatikut”.

Sot qyteti ka muzeun arkeologjik më të madh në Shqipëri. Muzeu i vjetër u hap në mars të vitit 1951, duke ekspozuar objektet e zbuluara në nëntokën e zonës së Durrësit. Godina e muzeut të ri u hap në vitin 2002 dhe sot ka një pavijon të vizitueshëm, ku paraqiten objekte arkeologjike të prehistorisë, periudhës arkaike dhe asaj të antikitetit. Përveç amforave dhe spirancave të zbuluara në fundin e detit, muzeu ka edhe një fond të pasur, që në të ardhmen do të jetë pjesë e pavijonit të mesjetës.

Në Muzeun Arkeologjik të Durrësit krahasuar me një vit më parë, muajt e fundit është rritur ndjeshëm numri i vizitorëve nga brenda dhe jashtë vendit.

“Këtë vit, krahasuar me vitin e kaluar kemi afro 40 përqind më shumë vizitorë, të huaj kryesisht por edhe vizitorë vendas. Ne jemi në bashkëpunim të plotë edhe me agjencitë ‘tour operation’, që sjellin turistë nga e gjithë bota. Kryesisht risia e këtij viti është se kemi pasur vizitorë edhe nga vende që nuk kanë qenë shumë të referueshëm për Shqipërinë”, tha për ne Albert Koni, përgjegjës i muzeut dhe amfiteatrit të Durrësit.

Objektet prej guri dhe hekuri sjellin gjurmë të prehistorisë, duke vijuar me periudhën arkaike, ndërsa ato prej qeramike që datojnë nga shekulli IV Përpara Erës Sonë, shfaqin zhvillimin kulturor dhe ekonomik të qytetit, përgjatë periudhës helenistike. Ndërsa monedhat e prera në Dyrrahun antik dëshmojnë zhvillimin e qytetit përgjatë periudhës romake.

“Të gjitha objektet që janë ekspozuar në muze janë gjetur në Durrës dhe përreth Durrësit. Janë mbi 2000 objekte, një pjesë e madhe prej tyre janë me vlera unikale që mund të vizitohen vetëm në Muzeun e Durrësit”, u shpreh arkeologu Bledar Bica, ciceron i Muzeut Arkeologjik Durrës.

Muzeu gjendet në “Shëtitoren Taulantia”, pranë “Vollgës” dhe në sezonin turistik, nga 1 maji deri në 15 tetor, është i hapur çdo ditë (e hënë – e dielë), nga ora 09:00-19:00. Përgjatë dimrit muzeu qëndron i hapur në orarin 09:00-16:00, nga e marta në të dielë (e hëna është pushim).

 

Publikuar më parë në Amfora.al

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>