Muzika tallava dhe qoftet pengojnë punimet e Teatrit Kombëtar

Muzika tallava dhe qoftet pengojnë punimet e Teatrit Kombëtar

“Aktorët e Teatrit Kombëtar e kanë të pamundur të bëjnë prova, për shkak të muzikës së lartë që vjen nga Pedonalja. As komunikumi më minimal mes njëri-tjetrit nuk është i mundur. ” Kështu u shpreh  në një intervistë për gazetën Panorama, Drejtori i Teatrit Kombëtar Hervin Çuli.  Ai tha  se këtë shqetësim ia ka transmetuar kryetarit të bashkisë Erion Veliaj, por nuk ka arritur të zgjidhë gjë.

“Kam komunikuar me kryetarin e bashkisë dhe më ka dhënë garanci vetëm për pjesën e orareve të shfaqjeve, për pjesën tjetër kryetari ndofta në të drejtë të tij, më ka thënë që janë kontrata të lidhura me firmat përkatëse dhe se janë të mbartura, por ky nuk është problemi im. Problemi im është që unë dua të punoj dhe të siguroj punën në institucionin tim. Kam një presion shumë të madh që e ndiej përditë nga aktorët, nga spektatorët, nga të gjithë që teatri nuk po arrin dot të bëjë punën e vet. Na ka ngelur vetëm t’i bëjmë provat privatisht, në shtëpitë tona”,- tha Çuli.

Tjetër shqetësim i ngritur nga drejtori i TK është mungesa e fasadës në kulmin e sezonit teatror. Ai tha se e gjithë fasada dhe hyrja e teatrit është e zënë nga reklama e tezga kompanish që tregtojnë birrë e qofte gjatë gjithë ditës.

Gjatë fushatës elektorale, kryetari i bashkisë Veliaj premtoi se nuk do të lejonte shndërrimin e pedonales në shitore qoftesh, por mesa duket nuk ka arritur t’a ndalojë këtë gjë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>