Naftëtarët në rafinerinë e Ballshit po protestojnë, për të dytën ditë radhazi, përpara uzinës. Një prej protestuesve deklaroi për Report Tv se protestat do të vazhdojnë deri sa Kryeministri të zgjidhë problemin.
Në protestën e së hënës, naftëtarët u përplasën me policinë, e cila rrethoi uzinën dhe nuk i lejojë naftëtarët që të futen brenda.
Të premten, naftëtarët lajmëruan se i kishin lënë afat deri në 14 shtator kompanisë ‘Allun’, që menaxhon rafinerinë, për të paguar pagat e prapambetura dhe për të rinisur punën.
Në një protestë të premten, naftëtarët u shprehen se të hënën, 14 shtator rinis mësimi dhe ata nuk munden të paguajnë shpenzimet e shkollimit të fëmijëve të tyre, pasi prej 10 muajsh nuk marrin asnjë pagë.
Kreu i sindikatës së naftëtarëve, Sokol Dautaj deklaroi se përfaqësuesit e kompanisë janë zhdukur, megjithsë një javë më parë ata premtuan se do të nënshkruanin kontratat e reja të punës dhe do të paguanin pagat e prapambetura.