Teksa naftëtarët kanë hyrë në ditën e nëntë të grevës, gjendja e tyre shëndetësore është përkeqësuar ndjeshëm.
Kryetari i sindikatës së naftëtarëve të Ballshit, Sokol Dautaj deklaroi se prej 9 ditësh nuk kanë marrë asnjë reagim nga asnjë institucion shtetëror:
“Nëntë ditë grevë urie, nëntë ditë naftëtarët pa asnjë përgjigje. Nëntë ditë të gjitha institucionet heshtin.”
Ai tha se jetët e tyre varen nga përgjigjet e institucioneve por deri më tani, duket se naftëtarët nuk ekzistojnë për shtetin.
Ai i bëri apel kryeminitrit Rama që të gjejë sa më parë një zgjidhje për të detyruar kompaninë të paguajë pagat e prapambetura ndaj naftëtarëve.
Sipas mediave gjendja e tyre shëndetësore është e rënduar, por ata nuk pranojnë të kurohen.
Shumë prej kanë shfaqur probleme me tensionin, zemrën, marrje mendsh. Një mjek pohoi për mediat se ata duhet të marrin kurim të menjëhershëm.
Kjo është greva e dytë e naftëtarëve brenda një viti.
Në shkurt 2020, naftëtarët u futën në grevë urie për rrogat prapambetura por pranuan të riktheheshin sërish në punë kur u njoftuan se një kompani e re do të merrte administrimin e rafinerisë dhe se do të gjehej një mundësi për të paguar rrogat e prapambetura.