Naftëtarët e Ballshit janë përplasur me policinë gjatë protestës, përpara Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës. Ata kërkojnë të takojnë ministren Balluku, por policia nuk i lejon që t’i afrohen ministrisë.
Protestuesit kërcënuan se nuk do të largohen nga ministria pa marrë garanci se do të marrin rrogat e prapambetura.
Naftëtarët u shprehën se protestat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhër dhe se situata tashmë është bërë e padurueshme. Ata paralajmëruan grevë urie nëse nuk marrin përgjigje nga qeveria.
“Kemi thuajse 20 paga pa marrë, edhe pse i kemi fituar me gjyq. Jemi të papunë këta 11 muaj të fundit, pa bukë për fëmijët dhe familjet tona,” u shpreh një punëtor.
Ndërsa një punëtore tjetër tha se nuk do të tërhiqen nga protesta:
“Të na japin rrogat që kemi punuar. O të hapet dera e ministrisë, o do vdesim këtu. Nuk kthehem më në Ballsh, vetëm e vdekur, se kam punuar, kam lënë gjakun atje. Kemi 3 vjet pa marrë rrogat, se pronari ikën në drejtim të paditur. Ç’është ky pronar, kush e sjell?”