Shqipëria po hyn në një zonë jeshile sa i përket pandemisë COVID-19, sipas deputetes së zgjedhur, Najada Çomo.
Ish-shefja e Infektivit në QSUT tha në një intervistë në “News 24” se në qershor situata do të jetë shumë e mirë sa i përket pandemisë.
“Shqipëria po hyn në zonë jeshile dhe urojmë të shkojë gjithçka në mënyrë pozitive”, tha Çomo.
Përmirësimi i situatës sipas mjekes ka ardhur si pasojë e ritmit të vaksinimit të popullsisë.
Në vend janë vaksinuar 612 mijë qytetarë kundër COVID-19. 20 përqind e popullsisë në vend ka marrë të paktën një dozë ndërsa, 140 mijë persona janë vaksinuar plotësisht, me të dyja dozat.
Çomo i ka njohur kryeministrit Rama meritat për përmirësimin e situatës së COVID-19.
Megjithatë ajo paralajmëroi se nuk duhet ulur kujdesi pasi kemi të bëjmë me një “virus tinzar, dhe duhet gjithmonë kujdes”.