Kryetarja e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit Natasha Mulaj i ka dorëzuar të martën detyrën pasardhëses së saj Albana Shtylla.
Në fjalën përshëndetëse, Mulaj deklaroi se fillimisht KPA, por dhe gjithë procesi i vetingut janë sulmuar, por se kjo nuk i pengoi të gjithë gjyqtarët e KPA-së të respektojnë ligjin dhe të ecin përpara.
Albana Shtylla u zgjodh në krye të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në fund të qershorit 2020. Shtylla u zgjodh me votim nga anëtarët e tjerë të KPA-së. Ajo do të zëvendësojë në detyrë Natasha Mulajn, mandati 3-vjeçar i së cilës mbaroi.
Më herët Albana Shtylla ka qenë anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Drejtore në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale, Sekretare e Përgjithshme të Kuvendit të Shqipërisë dhe Drejtore e kabinetit të Avokatit të Popullit.
Që prej themelimit të KPA-së ajo është një prej gjyqtareve në institucionin që bën verifikimin përfundimtar të magjistratëve.