Myftar Gjana, një nga organizatorët e grevave studentore të viteve 1990-1991, u nda nga jeta të martën në moshën 59-vjeçare.
Zoti Gjana vuante nga një sëmundje e rëndë. Ai ishte një nga studentët e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, të cilët iu bashkuan protestave të dhjetorit 1990 dhe ndër themeluesit e degës së Partisë Demokratike në rrethin Kukës.
Pas rrëzimit të diktaturës punoi si gazetar. Studioi diplomaci në Maltë dhe deri në vitin 1996 drejtoi Drejtorinë e Shtypit në Ministrinë e Jashtme. Përveç punës edhe në Kuvend, apo Bibliotekë Kombëtare, zoti Gjana ishte aktiv edhe si letrar me botime në poezi dhe përkthime të ndryshme.