Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Hoyt Brian Yee i kërkoi vendeve të Ballkanit të jenë të kujdesshme nga ndërhyrjet e Rusisë në politikën e brendshme.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, diplomati Yee theksoi rastin e Malit të Zi ku “siç tregojnë të gjitha të dhënat, Rusia ndërhyri për të përmbysur një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike.”
“Vendet e tjera të Ballkanit duhet të jenë shumë të kujdesshme, duhet të ndjekin me vëmendje se ç’bën Rusia. Edhe ne [SHBA-të] po bëjmë të njëjtën gjë”, u shpret Zoti Yee.
Zyrtari amerikan tha se SHBA-të janë të angazhuara për të mbështetur Ballkanin drejt reformave për forcimine këtyre vendeve që do t’i afronin ato më pranë BE-së:
“Po marrim masa aty ku mundemi që të forcojmë vendet e Ballkanit Perëndimor, përballë ndikimeve me synime keqdashëse, qoftë nga Rusia apo burime, vende dhe faktorë të tjerë.”
Gjatë muajit të fundit Zëvendës Presidenti amerikan Mike Pence u takua në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin serb Vuçiç dhe vizitoi Malin e Zi. Këto vizita, sipas Yee, tregojnë angazhimin e SHBA-ve në Ballkan.
Ai theksoi se pavarësisht ndasive, SHBA-të do përpiqen të bashkëpunojë me Rusinë në fusha me interes të përbashkët siç është anti-terrorizmi, por në çështje për të cilat dy qeveritë kanë pikëpamje të kundërta, “Shtetet e Bashkuara, do të mbrojnë me shumë vendosmëri interesat dhe vlerat e tyre dhe aleatëve të tyre.”