Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit Hoyt Brian Yee në Departamentin e Çështjeve të Europës dhe Euroazisë është duke zhvilluar një vizitë në Kosovë. Dje ai ka dhënë një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës.
Sekretari Yee ka kërkuar që të mos mbahen zgjedhje të parakohshme në Kosovë, mundësi që ka filluar të diskutohet në mjedise të ndryshme politike dhe publike. Duke folur për këtë çështje, gjatë intervistës ai ka bërë një koment kontekstual për zgjedhjet në Shqipëri, duke shprehur njëkohësisht si këshillën për mos bllokimin e zgjedhjeve edhe dyshimin se ato, në fakt, mund të shtyhen.
Zoti Yee pohoi:
Këshilla jonë për udhëheqjen e Kosovës është që të përballet me sfidat, të mos i vonojë, të mos i shtyjë, të mos mbajë zgjedhje të parakohshme. Kjo është një gjë për të cilën ne i inkurajojmë të gjithë udhëheqësit në rajon, me që ra fjala. Është shenjë premtuese që në disa vende, Shqipëria për shembull — Shqipëria do të mbajë, ose të paktën duhet të mbajë, zgjedhjet e zakonshme në qershor, më 18 qershor besoj. Atje, ne po nxisim opozitën dhe të gjitha partitë të marrin pjesë plotësisht në zgjedhje dhe të mos i bllokojnë ato. Dhe nëse ka probleme, ne besojmë se opozita dhe qeveria duhet të kenë dialog për t’i zgjidhur këto probleme në mënyrë që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme.
Sekretari Yee ndonëse shprehet qartë se zgjedhjet nuk duhet të bllokohen dhe duhet të mbahen në datën e caktuar, me korrigjimin që i bën menjëherë vetes nga “do të mbahen” në “të paktën duhet të mbahen” lë të nënkuptohet se mundësia e shtyrjes së zgjedhjeve është e pritshme nga administrata amerikane.
Hoyt Brian Yee, i cili është punonjës karriere i shërbimit të jashtëm të Departamentit të Shtetit, ka shërbyer që prej vitit 2013 si zëvendës i Ndihmës Sekretares Victoria Nuland, e cila dha dorëheqjen menjëherë pas inagurimit të Presidentit Trump. Personi që do plotësojë vendin e lënë bosh prej saj do të jetë vendim-marrësi kryesor politik në lidhje me Shqipërinë.
Duke qënë se Shqipëria zë një peshë të vogël në prioritetet e administratës amerikane, politikat amerikane për Shqipërinë hartohen dhe vendosen nga një numër i vogël punonjësish të administratës amerikane. Praktikisht, niveli më i lartë i vendim-marrjes është Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, i cili renditet i pesti në hierarkinë e Departamentit të Shtetit pas Sekretarit, dy Zëvendës Sekretarëve dhe Nën Sekretarit për Çështjet Politike.
Emërimi i Ndihmës Sekretarit të ri pritet të marrë disa javë të tjera në mos muaj, pasi procesi i konfirmimit nga Senati i emërimeve të propozuara nga Presidenti Trump po ecën shumë ngadalë dhe ka shumë pozicione të tjera më prioritare ende të papropozuara apo konfirmuara nga Senati.
Deri në këtë emërim vendim-marrja politike amerikane ndaj çështjeve të përditshme në Shqipëri do të jetë shumë e kufizuar. Ndihmës Asistenti Yee dhe Ambasadori Lu përfaqësojnë vazhdimësinë e politikës së mëparshme të Departamentit të Shtetit, e cila në vitet e fundit ka qenë e fokusuar kryesisht në hartimin dhe zbatimin e reformës në drejtësi, duke nenvlerësuar problemet e drogës, krimit të organizuar, korrupsionit qeveritar, lirisë së medias, etj.
Por ndryshimi i drejtimit politik të Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit pritet të sjellë prioritete dhe qasje të reja politike ndaj vendeve të Ballkanit, të paktën në rolin e ambasadave dhe misioneve të USAID-së në këto vende. Pritet që lufta kundër drogës dhe krimit të marrë një peshë më të madhe veçanerisht duke qenë se Sekretari i Drejtësisë Sessions është një ndër politikanët e ashpër kundër marijuanës dhe me gjasa aktiviteti i OPDAT-it pritet të ripërqendrohet tek misioni zyrtar për të cilin ai ekziston, ndihmën në luftën kundër drogës dhe krimit, pasi përdorimit të tij për hartimin e reformës në drejtësi gjatë dy viteve të fundit.
Duke qenë se qasja e re nuk është detajuar dhe filluar të zbatohet ende është krijuar një ngërç që vihet re edhe në qëndrimet e Ambasadorit Lu, i cili nga një figurë shumë aktive dhe e prerë në qëndrimet e tij, tashmë i ka kufizuar dhe i ka bërë më të moderuara ndërhyrjet dhe qëndrimet e tij publike.