Ndotja e ajrit, vrasësi i heshtur

Nga Geri Emiri & Flavja Kenga
Ndotja e ajrit, vrasësi i heshtur

Ndotja e ajrit, ngadalë por vazhdimisht i shkatërron miliona njerëzve shëndetin dhe jetën e tyre.

Në vitin 2012, një nga çdo nëntë vdekje në botë u shkaktuan nga ndotja e ajrit dhe rreth 3 milion vdekje në total. Në Shqipëri 1,842 persona vdiqën nga sëmundjet e shkaktuara nga ndotja e ajrit në vitin 2012.

Si na vret ndotja e ajrit?

Ndotja e ajrit ndikon kryesisht tek mushkëria dhe zemra. Sëmundjet më të shpeshta të frymëmarrjes lidhen direkt me mushkëritë dhe disa prej tyre shkaktojnë vdekje. Ajri i ndotur kalon përmes frymëmarrjes në mushkërit tona duke shkaktuar inflamacion dhe bllokuar kalimin e oksigjenit në gjak.  Kanceri i mushkërive është një nga sëmundjet e shkaktuara nga ajri i ndotur.

Ndotësit në ajërin që thithim

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mjetet e transportit janë shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit. Automjetet lëshojnë në ajër gazra të rrezikshëm të tillë si PM10, PM2.5, CO2, Benzol, NO2, O3 dhe SO2. Shumica e vendeve po zbatojnë politika për t’i vënë këto kimikate nën normat e lejuara.

Shqipëria ka bërë përmirësime të ngadalta, por disa nga kimikatet më të rrezikshme gjenden në ajër në nivele alarmante. Shqipëria arriti të ndalojë rritjen e PM10, PM2.5, NO2, O3 dhe SO2, por CO2 dhe Benzen, shkaktarët kryesorë të sëmundjeve të frymëmarrjes, janë sa dyfishi i normave të lejuara.

CO2 (dioksidi i karboni)

Ekspozimi dhe frymëmarrja në mjedisin ku përqendrimi i dioksidit të karbonit është 10 për qind ose më lartë, mund të shkaktojë vdekje, pavetëdije ose konvulsione. Ekspozimi mund të dëmtojë fetusin në zhvillim.

Ekspozimi ndaj përqendrimeve pak më të ulëta se 10 për qind të dioksidit të karbonit mund të shkaktojë hiperventilim, dëmtim të shikimit, bllokim të mushkërive, dëmtime të sistemit nervor qendror, kontraktime të muskujve, presion të lartë të gjakut. Niveli i CO2 në Shqipëri është 4,05 μg / m³ dhe norma e BE-së është 2μg / m³ kështu dyfishi i normës.

Dioksidi i karbonit prodhohet nga djegia e lëndëve djegëse fosile, si qymyri, nafta, benzina, gaz natyror. Burimet e dioksidit të karbonit përfshijnë djegien e lëndëve djegëse fosile, prodhimin e energjisë elektrike, automjetet e transportit, prodhimin e çimentos ose gëlqeres, djegien e mbeturinave.

Benzoli

Benzoli është një nga elementët më të rrezikshëm të ndotjes së ajrit. Benzeni rrit rrezikun e kancerit dhe sëmundjeve të tjera, dhe është gjithashtu një shkaktar famëkeq i problemeve me palcën kurriozore. Shqipëria ka një nga normat më të larta të rritjes së kancerit në rajon.

Benzoli është gjithashtu një nga ndotësit që është dyfish më i lartë se kufiri i BE-së. Në Shqipëri Benzeni është 10.89 μg / m³ dhe norma e BE është 5 μg / m³.

Benzoli gjendet në vajra të papërpunuara dhe si nënprodukt i proceseve të rafinimit të naftës.

PM10, PM2.5

Elemente të tilla si grimcat (copa të vogla pluhuri në ajër) PM10 dhe PMM2.5 shkaktojnë dëme afatgjata sepse ato mund të hyjnë thellë në mushkëritë tona dhe disa madje mund të futen në qarkullimin e gjakut. Në Shqipëri ky element në vitin 2014 është matur në normën 31.62μg / m³ të BE-së është 40 μg / m³.

Grimcat PM10 dhe PM2.5 vijnë kryesisht nga autobusët, makinat dhe metoda të tjera të transportit të përdorin naftë.

Ozoni (O3)

Ozoni (O3) në ajrin që thithim mund të dëmtojë shëndetin tonë, sidomos në ditët e nxehta me diell kur ozoni mund të arrijë në nivele jo të shëndetshme. Edhe nivelet relativisht të ulëta të ozonit mund të jenë të rrezikshme.

Pb (plumbi)

Plumbi (Pb) është një metal shumë helmues (nëse grimcat e tij thithen bashkë me ajrin), duke prekur pothuajse çdo organ dhe sistem në trupin e njeriut. Ai mund të shkaktojë dëme të rënda në tru dhe veshka, duke shkaktuar dhe vdekjen.

NO2 (Dioksidi i azotit)

Disa njerëz mund të jenë më të rrezikuar duke u ekspozuar ndaj ndotësve të caktuar që gjenden në vendin e tyre të punës.

Ky ndotës ndikon kryesisht tek njerëzit që punojnë në bujqësi, fabrika dhe vende ku çmontohen armë. Dioksidi i azotit shkakton sëmundje në mushkëri.

Burimet kryesore janë motorët me djegie të brendshme që djegin lëndët djegëse , por dhe motorrët e mjeteve të transportit. Në ambiente të mbyllura ky ndotës prodhohet nga duhani dhe ngrohja me vajguri.

SO2 (Dioksidi i squfurit)

Dioksidi i squfurit ka efektet të tilla si: vështirësi në frymëmarrje, inflamacion të rrugëve të frymëmarrjes, acarim të syve, vështirësi në frymëmarrje, probleme në zemër. Dioksidi i squfurit është gjithashtu i lidhur me astmën, bronkitin kronik dhe vdekjen tek njerëzit e moshuar dhe foshnjat.

Zgjidhjet

Nivelet e ndotjes së ajrit në Shqipëri midis viteve 2010-2014 përmbushën synimet e vendosura ndaj Shqipërisë, por disa ndotës ende tejkalojnë normat e Bashkimit Evropian.

Agjencia Kombëtare e Mjedisit në Shqipëri ka nevojë për më shumë stacione monitorimi për analizën nën-rajonale të ndotësve. Me të dhënat e disponueshme, është e vështirë të përcaktohet se nga ku vijnë ndotësit më të rrezikshëm dhe të paralajmërojnë qytetarët në ato zona për rreziqet ndaj tyre.

Në vitin 2010, Agjencia Evropiane e Mjedisit raportoi për nivelin e lartë të ndotjes së ajrit në Shqipëri. Shqipëria kishte kufizime më të larta për ndotjen e ajrit kështu që uli normat e saj për t’iu përafruar rregullores së Bashkimit Evropian. Pas pesë vjetësh, legjislacioni mbi cilësinë e ajrit u harmonizua me Bashkimin Evropian, por shumë nga rregulloret ende nuk janë zbatuar.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Mjedisit në raportin e vitit 2013, masat e mundshme që do të ndihmojnë në përmirësimin e standardeve të cilësisë së ajrit në qytetet e Shqipërisë janë:

 – Ulja e numrit të makinave duke promovuar përdorimin e transportit publik;

 – Përmirësimi i transportit publik;

 – Përmirësimi i cilësisë së lëndëve djegëse;

 – Promovimi i teknologjive të automjeteve;

 – Promovimi i përdorimit të biçikletave;

 – Rritja e sipërfaqeve të gjelbra;

 – Menaxhimi më i mirë i rrjetit rrugor.


Ky artikull u shkrua si pjesë e projektit Gazetaria e shifrave në Shqipëri, zhvilluar nga UNDP (Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim).

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>