Në 3 muajt e fundit, policia ka arrestuar 2 persona, të dyshuar si pjesë e organizatës mafioze ‘Ndragheta’ në Shqipëri.
Policia shqiptare ka vepruar në bashkëpunim me policinë e Italisë, Argjentinës dhe Kosta Rikës, duke bërë të mundur arrestimin e 6 të dyshuarve në total, në të katërt vendet.
Ditët e fundit, është arrestuar Bujar Sejdinaj, i njohur dhe me nofkën “Xhaxhai”.
Ai dyshohet se është përfaqësuesi i Ndrangheta-s në Shqipëri dhe në zonën e Ballkanit dhe në veçanti përfaqësuesi i familjes mafioze “Bellocco”. Ai pritet të ekstradohet në Itali, ku dhe është shpallur në kërkim.
Ndërsa në 26 maj, policia ka arrestuar në Elbanan, shtetasin A.C., i shpallur më parë në kërkim, si pjesë e organizatës mafioze.
Gjatë kësaj periudhe dhe policitë e vendeve të tjera kanë arrestuar 4 persona, mes të cilëve:
- Korrierin dhe njeriun e besuar të Ndrangheta-s, i cili bënte lidhjen mes Amerikës së Jugut dhe Kalabrisë.
- Personin që bënte lidhjet midis furnizuesve të drogës të Amerikës së Jugut dhe familjeve mafioze italiane.
- Personin që merrej me anashkalimin e kontrolleve doganore dhe pastrimin e parave;
- Personin që bënte të mundur dërgimin e kokainës në Itali, si dhe u siguronte anëtarëve të organizatës bazën logjistike dhe akomodimin në Costa Rica.