Turqia është bërë vendi i 34-të që ka zbuluar të infektuar me variantin e ri të koronavirusit të identifikuar së pari në Britani.
Ministri i Shëndetësisë i Turqisë, Fahrettin Koca deklaroi të premten se janë zbuluar 15 persona të infektuar me mutacionin e Covid-19. Në kontrollet në të gjithë vendin, thuhej në deklaratën e ministrit, virusi nuk ishte zbuluar në askënd tjetër përveç udhëtarëve që mbërritën nga Britania.
Tashmë janë bërë të paktën 34 vende që kanë zbuluar të infektuar me variantin e ri të Covid-19, raportuar për herë të parë nga Britania, në 8 dhjetor.
Varianti i ri i virusit, i njohur si B.1.1.7., deri më tani rezulton të ketë të njëjtat simptoma si Covid-19, por është më lehtë i transmetueshëm, duke shkaktuar më shumë të infektuar e për pasojë, më shumë të shtruar në spitale në një kohë më të shkurtër.
Lista e vendeve që kanë identifikuar infeksionet me variantin është rritur me shpejtësi, dhe që nga e premtja përfshin – përveç Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Turqisë – dhe Australinë, Belgjikën, Brazilin, Kanadanë, Kilin, Kinën, Danimarkën, Finlandën, Francën, Gjermaninë, Islandën, Indinë, Irlandën, Izraelin, Italinë, Japoninë, Jordaninë, Libanin, Maltën, Hollandën, Norvegjinë, Pakistanin, Portugalinë, Singaporin, Korenë e Jugut, Spanjën, Suedinë, Zvicrën dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe Tajvanin e Vietnamin.