Gjashtë ditë pas tërmetit me magnitudë 6.4 Richter, që shkaktoi 51 viktima, 29 të plagosur mbeten të shtruar në spitale, rreth 2,600 njerëz të tjerë janë strehuar nëpër hotele ndërsa 17 ndërtesa janë shembur nga autoritetet pasi nuk ishin më të sigurta.
Zyra e shtypit të Ministrit Bledi Çuçit, ngarkuar me detyrën e Drejtuesit të Operacioneve për Menaxhimin e Fatkeqësive Natyrore, njoftoi përmes një deklarate të shpërndarë në media se:
“Vijojnë të marrin ndihmë mjekësore 29 persona nga të cilët 22 në Spitalin e Traumës, 4 në Spitalin e Durrësit dhe 3 të tjerë të transferuar jashtë vendit për kurim. Numri i qytetarëve të strehuar në struktura hoteliere në Durrës, Shëngjin dhe Kavajë ka arritur në 2,633.”
Në deklaratën për shtyp nuk thuhet se sa është numri total i të shpërngulurve. Numri i personave të sistemuar nëpër çadra. Ndërkohë pas vlerësimeve të ekspertëve dhe vendimeve të Këshilleve Bashkiake, thuhet se 17 ndërtesa janë prishur në qarkun e Durrësit, pasi nuk ofronin siguri:
“Deri më sot, në qarkun Durrës janë prishur 12 banesa të shkatërruara dhe 5 të tilla në bashkinë Krujë.”
Qindra ndërtesa janë dëmtuar prej tërmetit të 26 nëntorit në qarkun e Durrësit dhe Tiranës. Autoritetet kanë ngritur një grup ekspertësh të vlerësimit të banesave “të përbërë nga 70 ekspertë inxhinierë vendas dhe të huaj, të organizuar në 11 grupe” të cilët kanë vlerësuar 400 ndërtesa.