
Instituti i Shëndetit Publik nuk ka laborator për të zbuluar variantin e ri të Covid-19 që po shpërndahet kryesisht në Angli.
Dritan Ulqinaku, nëndrejtor i Institutit të Shëndetit Publik, deklaroi mbrëmjen e së martës, se për shkak të mos pasjes së laboratorit, disa monstra do të dërgohen në laboratorët anglezë:
“Duhen laboratorë të një standardi që nuk ia vlen t’i futemi. Nuk ka sens të krijojmë laboratorë të nivelit 3-4, do shumë investime, shumë siguri, do shumë trajnime të njerëzve që duhen vite.
Ne nuk e dallojmë dot, por bëjmë diçka tjetër, marrim mostra të personave me Covid dhe i dërgojmë në Londër, kjo është një mënyrë për të zbuluar nëse janë me Covid të ri apo jo.”
Ulqinaku shpjegoi dhe se përzgjedhja e mostrave për testim në Londër do bëhet në mënyrë rastësore, me shumë pak indicia, pasi simptomat e Covidit të ri janë të njëjta me ato të Covid-19.
Një prej indicieve në përzgjedhjen e mostrave do të jetë nëse të infektuarit kanë ardhur nga Anglia apo nëse kanë pasur kontakt me një person të ardhur nga Anglia.