700 kilogramë kanabis për “konsum personal”

Nga Karl Kuci
700 kilogramë kanabis për “konsum personal”

Drejtësia shqiptare po bën goditjet e fundit përpara se të fillojë zbatimi i reformës në drejtësi, e cila do t’i detyrojë të paktën për pak kohë të jenë më të kujdesshëm.

Para pak ditësh u dha lajmi se prokuroria, pas hetimeve të gjata dhe shumë verifikimeve, nuk ka arritur të vërtetoj akuzat për trafik ndërkombëtar për shtatë të akuzuar për krijimin e një organizate kriminale me qëllim trafikun e drogës, të arrestuar rishtazi, të cilëve iu sekuestrua 700 kg kanabis. Ndaj të arrestuarit kanë marrë një ulje të dënimit dhe akuza e tyre u riklasifikua si “prodhim dhe mbajtje të drogës”. Ligji shqiptar parashikon dënim më të lehtë për këtë akuzë. Pas kësaj, prokuroria ka vendosur transferimin e dosjes nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Prokurorinë e Durrësit, përgjegjëse për territorin. Transferimi i dosjes në prokurorinë e rrethit ul vëmendjen e publikut dhe të shikueshmërisë së rastit, duke krijuar hapësirë për një trajtim më të mirë të të pandehurve.

Ndoshta është vetëm rastësi, por në këtë rast të paktën dy të hetuar janë “ të hetuar special”, vëllëzër të dy “naftëtarëve” kryesorë shqiptarë, njëkohësisht miq dhe financues të qeverisë. Emrat e këtyre biznesmenëve, aktualisht, janë të përfshirë në një marrëveshje biznesi nga më të fshehtat që po ndodh sot në Shqipëri, prodhimi dhe tregtimi i naftës shqiptare në rafinerinë e ARMO-s.

I çuditshëm është fakti që Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk ka arritur të vërtetojë as trafikun e drogës, as krijimin e organizatës kriminale. Prokurorët kanë preferuar të besojnë se kjo ishte një organizatë vetëkonsumi, një lloj kooperative pa asnjë qëllim përfitimi, pra një OJQ, megjithëse grupi ka administruar kultivimin e kanabisit në dy vende të ndryshme, Krujë dhe Mallakastër; ka magazinuar prodhimin në një vend të vetëm; ka koordinuar aktivitetin ilegal të dhjetë personave.

Ndërsa, nuk habit fakti që pas shumë bërtitjesh dhe thirrjes për ndihmë për të bërë një reformë të vërtetë të drejtësisë (nevojë asnjëherë e mohuar nga askush) dhe me pjesën më të madhe të reformës ende në pritje të miratimit në parlament, asnjë qeveritar nuk hap gojën për këtë fakt.

Si përfundim, sipas Rilindjes kanabisi nuk është më një problem për Shqipërinë, dhe të paktën në këtë rast as drejtësia nuk është më një problem.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>