Nga sot, e hënë 13 prill, dyqanet, farmacitë dhe bankat do të zgjerojnë oraret e punës dhe do të qëndrojnë hapur deri në orën 17:30.
Po ashtu, qytetarët që aplikojnë për autorizim për të dalë mund të qëndrojnë jashtë për 90 minuta, ndryshe nga vetëm 60 minuta që mundeshin më parë. Fasha e re orare për lëvizjen e qytetarëve është 05:00 deri në 17:30.
Qytetarët dhe bizneset që punojnë janë udhëzuar që të ruajnë distancat nga njëri-tjetri dhe të pajisin me maska mbrojtëse dhe doreza plastike.
Në fundjavë, kufizimi i lëvizjes do të nisë të premten në orën 17:30 deri të hënën në orën 05:00 të mëngjesit. Gjatë fundjavës do të lejohet vetëm qarkullimi i policisë, ambulancave, mediave dhe shërbimeve delivery.
Ndryshe nga javët e fundit, të shtunën dhe të dielën nuk do të lejohet asnjë lëvizje.
Këto masa lehtësuese u morën pas një jave me trend rënës të të infektuarve ditorë.
Në javën e kaluar, 6-12 prill, numri i të infektuarve ditorë u luhat nga 6 deri në 17 pacientë të rinj. Këto shifra ishin më të ulta se javën e parë të prillit kur ISHP lajëmroi 16 deri në 29 pacientë të rinj ditorë.
Kryeministri Rama lajmëroi, më 10 prill, se në rast se kurba e infeksionit do të vazhdojë të ketë trend rënës, javën e ardhshme qeveria do të lehtësojë masat shtrenguese për përdorimin e makinave, si dhe do të lejojë nisjen e punës për disa kategori biznesesh.
Po ashtu, qeveria po punon për një plan dhe rregullore bazë sigurie për bizneset që do të hapen në javët e mëtejshme.