Nga 22 janari parashikohet rikthimi i reshjeve të dendura të shiut. Njoftimi u bë të martën nga Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit.
Bazuar në parashikimet e IGJEUM, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile i bëri apel bashkive të marrin masa për të parandaluar përmbytjet dhe dëmet e rënda.
Qarqet më të rrezikuara nga reshjet janë Shkodër, Kukës, Dibër.
Lumenjtë, të cilët priten të kenë rritje të nivelit të ujit janë Drini, Mati, Shkumbini, Vjosa, Semani dhe në veçanti të baseneve të Drinit.
Ditët e fundit, në gjithë vendin ka pasur rënie të temperaturave nën zero gradë, duke bërë që të mos ketë më reshje shiu. Javën e parë të janarit, kryesisht Shkodra, Lezha e Durrësi u përmbytën si pasojë e reshjeve të vazhduara të shiut.