Ministri i sapoemëruar i Bujqësisë Niko Peleshi, që në Qeverinë Rama 1, mbajti postin e zëvendëskryeministrit, ka shpjeguar dje në mbrëmje reformën administrative dhe institucionale që do të ndodhë gjatë mandatit të dytë.
Gjatë intervistës me gazetarin Ilir Babaramo, Zoti Peleshi foli gjithashtu dhe për nismat që parashikon të ndërmarrë në ministrinë e Bujqësisë.
Disa nga deklaratat kryesore të Zotit Peleshi ishin:
Për reformën në institucione:
– Parimi është që ne besojmë që përmes optimizimit mund të bëjmë më shumë dhe më mirë për më pak.
– Arkitektura e re [e institucioneve shtetërore] synon modernizimin e administratës. por kjo nuk është për të shkurtuar numrin e punonjësve. Cilësia e administratës do të shkundet.
– Administrata jonë është e vogël dhe e strukturuar keq. Nga 140 agjenci kemi propozuar të shkojë në 104, 30% e tkurrur në numër dhe jo në administratë, për të mos ngjalluar frikë për pushime nga puna.
– Njerëzit ankohen për shërbimet nuk i intereson kostumi politik i punonjësit. Elementi koalicion e ka përkeqësuar situatën sa i takon cilësisë së shërbimeve.
– Të gjitha institucionet që kanë 10 punonjës do të shkrihen, punonjësit nuk do të largohen.
– Ne nuk kemi një ndarje të qartë mes funksioneve inspektuese, menaxhuese, i kemi miks shpeshherë.
– Do të bëjmë ndarje mes kontrollit dhe inspektimit. Ka një nevojë ulëritëse për të riformuar inspektimin.
– Këtu te ne ‘gjithkush inspekton gjithçka’. Nuk kemi standarde të qarta të përcaktuara, Shqipëria nuk është pjesë e organizatës së Standardeve.
Për Ministrinë e Bujqësisë:
– Siguria ushqimore do të jetë një kryefjalë që ditën e parë të punës. Duhet të rrisim sigurinë ushqimore.
– Një nga masat e para që unë do i propozoj kryeministrit për ta kthyer në reformë do të jetë kontrolli i therjeve.
– Bujqësia shqiptare ka frikë të rritet sado ti mbështesësh, pasi ai [shitësi] heq picir për të shitur prodhimet sado ta mbështesësh ai ka frik të rritet. Ne duhet të garantojmë shitjen e prodhimeve.
– Ne do të jemi shumë pranë fermerëve duke futur në lojë edhe bashkitë për të ndërtuar një pikë grumbullimi që fermerët të mos kenë frikë të rrisin prodhimin dhe të kenë ku ta çojnë.
– Do të jemi shumë agresive në politikat që ta bëjnë këtë sektor interesant për sipërmarrësit për të ringritur bujqësinë shqiptare.
– Problemi më i madh është madhësia e fermës në Shqipëri. Edhe kooperimi, kooperativat nuk përqafohen lehtë për shkak të konotacionit të së kaluarës. Po punojmë për idenë e fermave me kontratë që garanton shitjen e prodhimit me një sipërmarrës që mund të sigurojë edhe inputet.
– Sektori është me shumë sfida dhe shumë i vështirë, por ka mbështetjen e BE dhe të Ramës. Do të mundohemi të punojmë për një bujqësi më të zhvilluar dhe ushqime të sigurta.