Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka nisur, të martën, shembjen e pallateve të dëmtuara nga tërmeti në Kombinat, për t’i hapur rrugë procesit të Rindërtimit.
Sot do të prishen 9 prej pallateve e ndërtesave të planifikuara për tu shembur.
Burime për Exit News kanë raportuar se banorët kanë bërë rezistencë, por ka ndërhyrë policia për të nxjerrë banorët nga shtëpitë.
Të paktën 50 ndërtesa, pallate pak katëshe të ndërtuara në kohën e regjimit komunist, do të shemben.
Siç Exit News ka shkruar më parë, në truallin e liruar do të ndërtohen ndërtesa 4-5 katëshe me sipërfaqe totale ndërtimi rreth 1,5 milionë metra katrorë ku do të mund të strehohen mbi 21 mijë banorë, një qendër tregtare e tipit të Pazarit të Ri, dy muze dhe Universiteti i Arkitekturës.
Të parat në ndërtimet e reja do të strehohen rreth 2292 familje që jetonin në Kombinat, shtëpitë e të cilëve u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit. Ky grup familjesh do të zërë vetëm një të tretën e totalit të apartamenteve. Ndërsa pjesa tjetër do të shiten tek qytetarët e tjerë. Ende nuk janë bërë publike detajet e kësaj pjese, si do të shiten apartamentet dhe cili institucion apo kompani do ta menaxhojë këtë pjesë.