
Bashkia e Tiranës ka hapur sot tenderin për ndërtimin e unazës së vogël rreth Sheshit Skëndërbej. Investimi, me vlerë një milionë euro, përfshin zgjerimin dhe rikonstruksionin e disa segmenteve ekzistuese rrugore dhe hapje të kalimeve të reja. Unaza do të qarkojë nga kryqëzimi i Partizanit të Panjohur, përmes godinës aktuale të INSIG-ut në fillim të Rrugës së Barrikadave, pas Hotel Tiranës, pas Muzeut Kombëtar, anash Bankës së Shqipërisë deri në kryqëzimin e Parkut Rinia në anën e Ministrisë aktuale të Ekonomisë.
Punimet për unazën do të bëhen në periudha kohore të ndryshme. Segmenti i parë është ai nga kryqëzimi i Partizanit të Panjohur deri tek Banka e Shqipërisë. Punimet duhet të zgjasin rreth katër muaj, pas shpalljes së fituesit të tenderit në janar.
Ndërtimi i unazës është faza e parë e rindërtimit të Sheshit Skënderbej. Projekti i bashkisë do ta kthejë atë në hapësirë për këmbësorët, duke e kanalizuar qarkullimin e makinave në unazën që do të ndërtohet.
Projekti ka ngjallur kritika, pasi zgjidhja për menaxhimin e trafikut pas mbylljes së sheshit duket e papërshtatshme dhe mund të krijojë probleme për trafikun në të gjitha zonat qëndrore të qytetit.