Presidenti Nishani vlerëson me dekorotën e “Nderi i Kombit” studentët dhe pedagogët e grevës së urisë 18-20 shkurt 1991. Në ditën e Kombëtare të Kujtesës së Martirëve dhe Viktimave të Regjimit Komunist kreu i shtetit ka organizuar një ceremoni në presidencë. Në fjalën e tij Nishani, u shpreh se misioni i të rinjve solli rrëzimin e jo vetëm të një figure të urryer por ndryshoi kursin e historisë.
“Misioni juaj historik i asaj kohe ende nuk ka përfunduar. Ju ftoj secilin prej jush, që të mos i rreshtni përpjekjet, por të vazhdoni të kontribuoni denjësisht, duke pasuruar më shumë atë vlerë të madhe që ju i dhatë vendit dhe shoqërisë, i dhatë mundësi të ardhmes për Shqipërinë dhe shqiptarët, por edhe për të bërë të mundur që vendi ynë të mos vuajë më atë padrejtësi të zhvillimit ekonomik dhe social, por të bëhet më dinjitoz e më i begatë për të gjithë ne”, iu drejtua Nishani protagonistëve të asaj kohe.