Ka nisur në të gjithë vendin procesi i votimit për kryebashiakët dhe anëtarët e këshillave bashkiakë.
Zgjedhjet vendore po zhvillohen në 61 bashki në mbarë vendin, por garë ka vetëm në 30 bashki, pasi në 31 të tjera kandidatët e Partisë Socialiste janë pa kundërshtarë.
Ndërsa procesi vijon në të gjithë vendin, qytetarët që kundërshtojnë votimet e debatuara po protestojnë në mënyrë simbolike në disa qytete të vendit.
Në Tiranë, qytetarë me pankarta dhe thirrje “Parti-Enver” rrethuan disa qendra votimi. Në Korçë, protestuesit kanë vendosur shallin e kuq në mënyrë simbolike dhe janë mbledhur rreth qëndrave të votimit.
Deri tani janë raportuar disa incidente në disa qëndra votimi në Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Shijak.
Përfaqësues të shumicës socilaiste ju kanë bënë thirrje të vazhdueshme qytetarëve të marrin pjesë masivisht në votime.
Kryebashkiaku Veliaj nga Parku Olimpik u bëri thirrje qyetarëve të dalin të votojnë dhe ta lënë pas të shkuarën.
“I bëj thirrje qytetarëve të dalin dhe të votojnë. Nuk përdoren zgjedhjet për të larë hesapet që kanë disa me të shkuarën”, deklaroi ai.
Nga Surreli, Kryeministri Rama deklaroi se sot është më e rëndësishme Shqipëria se sa vota , duke i konsideruar këto zgjedhje një mësim historik për politikën shqiptare:
“Shumë hërë më e rëndësishme Shqipëria dhe mësimi historik që kjo ditë do t’i japë të gjithëve se sa vota. Kjo ditë konfirmon se me popullin nuk luhet, se sovraniteti nuk është një fjalë boshe, kush tenton t’ja marrë popullit sovranitetin nuk ka fund tjetër veç fundit. Rëndësi ka që qytetarët të votojnë ose jo, por të respektojnë të drejtën e kujtdo për të votuar apo jo.”
Ministri Brendshëm Sandër Lleshaj tha se procesi ka nisur i qetë në të gjithë vendin dhe shtoi se e drejta e qytetarëve për të votuar nuk është cënuar pavarësisht nga mospjesmarrja e opozitës.
Ndërkohë opozita ka denoncuar shitblerjen e votave në një nga njësitë e Tiranës, ndërsa ju bëri thirrjë qytetarëve të mos marrin pjesë në votime.