Një “1 qershor” për prindërit

Nga Mirilda Tili Kobatake
Një “1 qershor” për prindërit

Duhet një 1 qershor për prindërit. Për ata që i japin fëmijës, dashuri, mbrojtje, përkujdesje, shkollim, disiplinë dhe gjithçka tjetër që e ndihmon zhvillimin e fëmijës. Duhet kjo festë për ta, që të pushojnë, të reflektojnë dhe të mendojnë përpjekje të reja për të bërë të lumtur fëmijët e tyre.

Unë gjithmonë jam përpjekur të gjej pretekst për të festuar 1 qershorin. Jo në fëmijërinë timë, sepse thuajse nuk mbaj mend asgjë nga ajo kohë, po kur i lashë të 20-at fillova të festoja seriozisht këtë ditë, duke gjetur arsye nga më të çuditëshmet. Nuk doja të humbisja fëmijën brenda vetes. Por këto 4 vitet e fundit, kam hequr dorë nga fëmija brenda vetes sepse duhet të rritem, të marr përgjegjësi dhe të siguroj një fëmijëri të lumtur për fëmijët e mi.

Në ditën e fëmijëve, kur askush nuk la mënjanë marketingun për të qenë të parët në ekranet e televizioneve për të uruar 1 qershorin, kur gjithëkush tha gjithfarë dëshironte për të ardhmen e ndritur të fëmijëve, unë përjetova një tjetër shije. Shijen e çelësit në qafë. Brezi që u rrit me çelës në qafë, është ai që si unë nuk mban mend asgjë nga fëmijëria e vet. Janë të gjithë ata që prindërit e të cilëve uronin që së paku t’i gjenin fëmijët shëndoshë në shtëpi, pa pasur asnjë rëndësi nëse kishin ngrënë, fjetur apo kishin marrë edukimin dhe vëmendjen e duhur.

Janë pikërisht këta fëmijë të dikurshëm që sot janë bërë prindër. Janë prindërit që ju mësojnë fëmijëve se të qenit i mirë nënkupton të shkelësh tjetrin, që i ulërasin fëmijës pse u ngatërrua në poezinë që recitonte apo nuk kërceu sipas koreografisë para të tjerëve. Janë prindërit që mbajnë telefona modernë për të regjistruar daljet publike të fëmijës, për t’i hedhur menjëherë në Facebook që të shikojnë shoqëria për “inat” pa përjetuar ndjenjat e fëmijëve të tyre dhe pa ndjerë vetë.

Është e hidhur dhe unë e provova këtë hidhësi në një festë kopshti. Aty ku fëmijët qanin sepse kishin frikë se ngatërrohehsin dhe mami nuk do ja u falte “turpërimin” para të tjerëve. Pashë si injorohej një punë e madhe e fëmijëve së bashku me mësuesit e tyre vetëm sepse fëmija kishte mbaruar pjesën e vet të intepretimit dhe nuk ja vlente më të shihje fëmijët e tjerë. Pashë si shtyheshin njerëzit për të bërë sa më shpejt fotot e rastit, sepse nuk kishin kohë për të humbur, duhej të shkonin në kafe. Në atë festë kopshti pashë se sa shumë prindërve ju mungonte kopështi i tyre.

Ndaj na duhet një festë qershori apo dhjetori qoftë që të edukojmë prindërit të rrisin jo thjesht fëmijë, por të rrisin njerëz të mirë, të sinqertë, të ndjeshëm për veten por edhe për tjetrin. Që prindërit t’u mësojnë fëmijëve “cilësitë” e zemrës.

Vetëm duke edukuar prindërit, ne do të kemi jo vetëm fëmijë të lumtur, por fëmijë që do të dinë të krijojnë një shoqëri të mirë, ku të mund të jetojnë me njëri-tjetrin duke ndarë vlera të vërteta.

Psikologët thonë se fëmijët nuk kanë faj. Dhe nëse fëmijët nuk kanë faj, atëherë faji është i yni, i prindërve që anashkalojnë jo vetëm dëshirat e fëmijës, por gjithë ekzistencën e tyre. Duhet të heqim dorë nga “çelësi në qafë” dhe të veshim edhe ne atletet e të ecim më fëmijët tanë, t’i dëgjojmë e t’i përfshijmë, e mbi të gjitha t’u flasim për jetën dhe shoqërinë.

Nuk po them “t’i duam më shumë” sepse e di që çdo prind e do dhe përpiqet pafund për fëmijën e vet. Po them le të “heqim çelësat” nga qafa jonë dhe të vemë krahët tanë rreth qafës së tyre e të ecim në një botë e cila ka miliona fëmijë e prindër të tjerë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>