Policia e shtetit shpalli sot në kërkim ndërkombëtar katër e dyshuar të celulës terroriste të qeverisë iraniane.
Një ditë më parë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu dhe Drejtori i Drejtorisë së Antiterrorit Gledis Nano njoftuan se policia ka zbuluar një celulë aktive terroriste në Shqipëri dhe bënë publik emrat e tyre.
Mbetet ende e paqartë se përse policia vendosi të bëjë dje publik ekzistencën e këtij rrjeti terrorist, ndërkohë që nuk kishte lëshuar ende urdhër arrestet, duke dekonspiruar veprimet e mëtejshme për arrestimin e katër të dyshuarve.
Kjo celulë është pjesë e Forcave QUDS —Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, që vepron përtej kufijve të Iranit.
Sipas deklaratës së policisë, “celula terroriste është gjithashtu përgjegjëse, mes të tjerash, për planin e muajit mars 2018 për kryerjen e një akti terrorist gjatë kremtimeve të Festës së Nevruzit, të frekuentuar nga anëtarë të nivelit të lartë të organizatës opozitare iraniane Mujahedeen el Khalq (MEK).”
Gjatë një interviste Kreu i Gjyshatës Botërore të Bektashinjve, Edmond Brahimaj konfirmoi se dy persona tentuan të hynin në kryegjyshatë gjatë festimeve të Novruzit në mars 2018. Por është e paqartë nëse këta persona, të cilët atëherë u ndaluan dhe më pas u liruan për mungesë provash, janë mes katër personavve të përmendur nga policia.