Mbrëmë, qytetari A.GJ. u paraqit në urgjencën e spitalit Nënë Tereza në Tiranë me katër plagë thike—në sup, në ije, në bark dhe në këmbë—dhe me dëmtime të tjera në trup.
I pyetur nga policia, ai deklaroi se ishte plagosur në garazhin e shtëpisë së tij, me një llamarinë alumini. Ndërkohë, në makinën e tij policia gjeti 20 mijë euro.
Me sa duket për t’ju shmangur ekspozimit të mëtejshëm ndaj policisë dhe publikut, ai largohet nga spitali publik pasi merr ndihmën e parë mjeksore dhe, me pretendimin që po kthehet në shtëpi, shkon për mjekim më të plotë në një klinikë private
Po përse një person i plagosur rëndë gënjen dhe nuk dëshiron të deklarojë faktet në polici? Ne vetëm mund të hamendësojmë:
- Sepse nuk do të tregojë kush ishte personi apo personat e tjerë të përfshirë në ngjarje.
- Sepse nuk dëshiron të tregojë motivin apo rrethanat e vërteta të ngjarjes.
- Sepse është kërcënuar dhe ka frikë për veten e familjen e nuk beson tek mbrojtja e policisë.
- Sepse është i përfshirë në grupe mafioze që eleminojnë ata që i tradhtojnë.
- Sepse nuk beson që drejtësia do të ndëshkojë atë apo ata që e kanë sulmuar.
- Sepse nuk do që policia të arrestojë apo drejtësia të dënojë atë që e ka sulmuar.
Personi që ka gënjyer policinë është Artan Gjermeni, një ndër gjykatësit më të rëndësishëm dhe me karrierën më të gjatë në gjyqësor. Aktualisht, ai është gjyqtar i Gjykatës së Tiranës ku jep drejtësi kundër kriminelëve; është pedagog në Fakultetin e Drejtësisë ku përgatiten njerëzit e ligjit; është pedagog dhe, njëkohësisht, anëtar i bordit drejtues të Shkollës së Magjistraturës që përgatit gjykatësit dhe prokurorët e vendit; dhe ka qënë anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtëssië, organi më i rëndësishëm në administrimin e sistemit të drejtësië në vend.
Nëse një gjyqtar i tillë përpiqet të sabotojë apo manipulojë drejtësinë, ç’duhet të presim nga kriminelët? Nëse një gjyqtar nuk beson tek drejtësia, si mundet të besojë një qytetar i thjeshtë? Akoma më keq, nëse një person i tillë është përfshirë në aktivitete a marrëdhënie të paligjshme apo kriminale, ku po shkon ky vend?