Një investim i dyshimtë shkatërrues për Parkun Kombëtar të Divjakës

Një investim i dyshimtë shkatërrues për Parkun Kombëtar të Divjakës

11 organizata mjedisore kundërshtojnë ndërtimin e resortit turistik “Divjaka Albania” në parkun kombëtar të Karavastasë. Ato në një letër, dërguar Ministrit të Mjedisit Lefter Koka pohojnë shkeljet ligjore që paraqet masterplani i resortit.

Sipas tyre, nuk është zbatuar afati kohor i njoftimit të dëgjesës me publikun i përcaktuar në ligjin Nr. 91/2013 “Për Vlerësimin Strategjik Mjedisor” dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 219, datë 11.3.2015 “Për përcaktimin e rregullave e të procedurave për konsultimin me grupet e interesit dhe publikun, si dhe dëgjesën publike gjatë procesit të vlerësimit strategjik mjedisor”.

Parku Kombëtar “Divjakë-Karavasta” bënë pjesë në kategorinë e II të Zonave të Mbrojtura dhe sipas ligjit për zonat e mbrojtura, neni 6, pika 2 thuhet se në Parkun Kombëtar ndalohet:

Shfrytëzimi i tokës me teknologji intensive, me mjete dhe mënyra që shkaktojnë ndryshime rrënjësore në biodiversitet, në strukturën dhe funksionet e ekosistemeve ose që dëmtojnë në mënyrë të pandreqshme sipërfaqen e tokës;

Ndërtimi i rrugëve, autostradave, hekurudhave, zonave urbane, linjave të tensionit të lartë dhe sistemeve të naftës dhe gazit me shtrirje të gjatë.

Plani “Resort Divjake Albania” nuk ka përfshirë rekomandimet e Planit të Menaxhimit të parkut, hartuar me mbështetjen e JICA dhe miratuar në vitin 2016 nga Ministri i Mjedisit.

Plani i propozuar shkel disa Konventa Ndërkombëtare dhe standarte të BE-së për mbrojtjen e natyrës, të tilla si:

Konventa e Bernës për Rrjetin Emerald — Divjaka është shpallur Zonë Emerald në vitin 2008;

Konventa Ramsar për Ligatinat e Rëndësisë Ndërkombëtare —Divjaka është zona e parë Ramsar në Shqipëri e shpallur në vitin 1996;

Rrjetit Natyra 2000 për Zonat Veçanërisht të Mbrojtura — të gjithë shpendët dhe habitatet e tyre të përfshirë në këtë konventë duhet të ruhen nga çdo dëmtim.

Ndikimet e pritshme në park janë më shumë se çfarë parashikon dokumenti i Vlerësimit Strategjik në Mjedis të paraqitur.

Përveç shkeljeve ligjore, në letër, thuhet se plani shkatërron vlerat natyrore dhe larminë biologjike të zonës. Ai do të zhdukë dhe do të ulë ndjeshëm numrin e shpendëve folezues apo dimërues në këtë ekosistem.

Lejimi i ndërtimit të një kompleksi të tillë, do t’i hapë rrugën shkatërrimit të Parqeve të tjera Kombëtare në vend, pasi për çdo investitor në fushën e turizmit, vendet më të kërkuara janë pikërisht zonat e mbrojtura.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>